Basha mbledh kandidatët për deputetë në selinë blu, Alibeaj zbulon axhendën, ç’pritet të ndodhë pas dyerve të mbyllura

– Kryedemokrati Lulzim Basha nuk ka pushim! Një dite pasi mblodhi krerët e degëve të PD-së dhe të gjithë strukturën e partisë në selinë blu, kryedemorkati do të zhvillojë sërish sot një tjetër mbledhje.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, kandidati për deputet Enkelejd Alibeaj tha se në orën 18:00, në selinë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë, do të zhvillohet një takim mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kandidatëve për deputetë të PD në zgjedhjet e prillit.

Alibeaj tha se gjatë mbledhjes do të diskutohet për abuzimet që janë bërë nga pushteti, në blerjen e votës, angazhimi i administratës në fushatë, por edhe tenderat e lëshuara në katër muajt e fundit, gjë e cila sipas tij, me ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë të ndaluara.

“Do të diskutohet që është argument bisede në çdo familje shqiptare, ajo që ndodhi në 25 prill. Fakti publik për këdo që ajo që duhet të ishte një proces zgjedhor, ku do të shprehej vullneti i popullit, të mund të lexohej e tillë dhe të kishim një rezultat të gjithëpranuar që të shprehte dhe të profilizonte shkallën e parë themelore të një qeverisje legjitime. Kjo është tema që do të diskutohet. Kjo është njëra, por ky proces faktmbledhës ka nisur prej kohësh tek PD. Është ngritur një grup ligjor dhe një grup që ka marrë të dhënat në vazhdimësi. Duke e ditur parashikuar, të asaj që do të ndodhte, ne kemi pas ngritur një grup që jo vetëm jepte udhëzimet përkatëse, por paraqiste provat që kanë ndodhur për shumë muaj me radhë,”- tha Alibeaj.

Një ditë më parë Basha mblodhi strukurat e PD-së në selinë blu. Gjatë mbledhjes Basha tha se nuk do të njihte rezultatin e 25 prillit që e nxorri me 59 ulëse në Kuvend, ndërsa ka paralajmëruar një tur në të gjithë Shqipërinë javën e ardhshme. Kryedemokrati Lulzim Basha ka urdhëruar që të bëhet një analizë e thellë e kandidatëve për deputetetë në listat e Partisë Demokratike. Ai ka kërkuar që të gjithë kandidatët të futen në skaner dhe të shihet nëse ata kanë bërë fushatë vetëm për vete apo edhe për partinë.