Basha i dorëzon shefes së OSBE qindra faqe dokumente për krime zgjedhore. Zbardhet takimi i plotë

,
Partia Demokratike nuk i ka njohur deri më tani zgjedhjet e 25 prillit dhe ka vijuar me denoncimet ku sipas tyre është tjetërsuar vullneti i zgjedhësve. Pas disa denoncimeve të përditshme në selinë blu zbarkoi misioni ndërkombëtar i vëzhguesve të ODIHR-it. Kryevëzhguesja Ursula Gacek mbërriti në selinë blu në orën 10:00 të mëngjesit të djeshëm dhe qëndroi atje për rreth një orë e 15 minuta.

Burime për gazetën “Panorama” bënë me dije se vëzhguesit ndërkombëtarë janë njohur me faktet e mbledhura nga Partia Demokratike për blerjen e votës para zgjedhjeve gjatë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë procesit të numërimit. Po ashtu, burimet bëjnë me dije se dokumenti që zyrtarët e PD-së i kanë vendosur në dispozicion kryetares së misionit të vëzhguesve një dokument me qindra faqe ku ndodhen të dokumentuara me fakte disa raste të manipulimit të zgjedhjeve.

Pas përfundimit të takimit, kreu i PD-së, teksa iu përgjigj kritikëve që i kërkojnë dorëheqjen ka deklaruar se “beteja do të vazhdojë deri në fitore”. Menjëherë pas vëzhguesve të ODIHR-it, në selinë blu mbërriti edhe ambasadori italian Fabrizio Bucci, i cili po ashtu zhvilloi një takim me kryedemokratin Basha për më shumë se 30 minuta. Kujtojmë që ambasadori italian i ka njohur zgjedhjet e 25 prillit dhe ka uruar Kryeministrin Edi Rama për fitoren.

RAPORTI PARAPRAK I ODIHR

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it në konferencën e parë për shtyp në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të votimit në Shqipëri tha se KQZ-ja arriti të përmbushte pjesën më të madhe të detyrimeve të saj. Operoi në mënyrë transparente dhe ka gëzuar besimin e të gjithë aktorëve. Mirëpo, Azay Guliyev, koordinator special dhe drejtuesi afatshkurtër i misionit vëzhgues në Shqipëri, nuk la pa përmendur se ka pasur pretendime për shitblerje votash, gjë që vazhdon të përbëjë një problem të përhapur gjerësisht. “Kjo fushatë nuk pati dinamikën që duhet të kishte, pasi mesazhet u fokusuan te liderët e partive dhe pretendimet për shitblerje votash ishin dominuese gjatë fushatës, duke treguar se ky mbetet një problem i përhapur gjerësisht”, u shpreh z. Guliyev.

Azay Guliyev i vuri theksin edhe përdorimit të burimeve të administratës publike nga ana e ministrave gjë që është e paligjshme dhe që ka shërbyer në avantazh të partisë në pushtet. “Pavarësisht kuadrit solid ligjor që ndalon përdorimin e burimeve të administratës publike dhe që minimizon avantazhet e partisë në pushtet ministrat vazhduan që të bënin fushatë gjatë angazhimeve zyrtare. Kjo rezultoi në një lloj publiciteti që i solli partisë qeverisëse një avantazh të madh , ofrimin e stimujve dhe një presion të pretenduar mbi nëpunësit civilë, i cili mbetet një shqetësim”, tha .