Kur gazetarët e kronikës komentojnë zgjedhjet, diçka nuk ka shkuar mirë | REDAKSIONALE

Prej javësh gazetarët më të njohur në publik po konentojnë situatën politike para dhe pas zgjedhore. Gazetarë veteranë të kronikës si Artan Hoxha, Flamur Vezaj, Poli Hoxha, Elton Qyno dhe shumë të tjerë po zbardhin copëza ngjarjesh të jashtëzakonshme me politikën vendase.

Hiper-aktivizmi i tyre, herë shqeto e herë i nënkuptuar sinjalizon se subjektet e tyre të kronikës së zezë janë përfshirë kokë e këmbë në zgjedhje.

Personazhet e kronikës së zezë janë bërë faktori real i politikës në vend. Vrasjet e bujshme si Mond Çekiçit apo Bardhok Pllanajt lexohen si “vrasje politike”. Arrestimi i Çapajve në Elbasan apo shpallja në kërkim i Lulzim Berishës dhe kunatit të tij, Plarent Dervishaj në Durrësit duket se janë bërë për qëllime politike.

Sido që të jetë, një gjë është e sigurtë: kafshët e egra të krimit të organizuar po blejnë vota e pushtet për të ruajtur paprekshëmërinë e tyre, madje duke bërë aleancë me Qeverinë si në rastin e Bandës së Elbasanit që qëllon me armë në sy të Policisë së Shtetit.