𝟮𝟱 𝗽𝗿𝗶𝗹𝗹𝗶 𝘀𝗶 𝗽𝗲𝗻𝗴𝗶𝗺 𝗶 𝗻𝗱𝗿𝘆𝘀𝗵𝗶𝗺𝗶𝘁, 𝗷𝗼 𝗵𝘂𝗺𝗯𝗷𝗲 𝗲 𝗼𝗽𝗼𝘇𝗶𝘁ë𝘀

Nga Vehap Kola

Ajo që ka ndodhur me procesin politik në Shqipëri është një dramë e përmasave të paprovuara në 30 vite përpjekje për demokraci: është penguar në mënyrë të qëllimshme 𝙧𝙤𝙩𝙖𝙘𝙞𝙤𝙣𝙞. Rotacioni ishte i vetmi institut funksional i demokracisë së brishtë shqiptare derisa ai u ndal më 25 prill përmes një operacioni në shkallë të gjerë të deformimit dhe pengimit të votës së lirë.

Pasi ka realizuar, për fat të keq, me sukses një projekt anti-rotacion të papërfytyrueshëm më parë, Edi Rama është në etapën e 𝙛𝙤𝙡𝙡𝙤𝙬 𝙪𝙥-it, ose të menaxhimit të pasojave dhe klimës që ky projekt ka krijuar. Qëllimi i kësaj faze për Ramën është që opinioni publik ta tresë me sa më lehtësi dhe normalshmëri produktin e pazakontë të projektit të tij anti-rotacion.

Megjithatë, natyra krejt jonormale e këtij projekti dhe produktit të tij, pra ndaljes së rotacionit, në traditën 30-vjeçare të demokratizimit, e bëjnë të domosdoshme që Rama dhe makineria e tij e propagandës të inskenojnë një normalitet fals. Një komponent i domosdoshëm për të mbjellë këtë normalitet fals në opinionin publik është edhe ngritja në Partinë Demokratike e një kontesti të shtirur për lidershipin e partisë. Fajësimi i lidershipit aktual në rastin e humbjes së zgjedhjeve dhe kërkesa për lidership të ri është një model i njohur i të menduarit në situata të ngjashme dhe kryen funksionin e katalizatorit për idenë se pengimi i rotacionit nuk ka qenë asgjë më shumë se një humbje e radhës e zgjedhjeve nga opozita.

Duke e bombarduar përmes masmedias këtë kontest për lidershipin në Partinë Demokratike, regjimi e përshpejton përthithjen nga poret e manipulueshme të opinionit publik të asaj që Carl Schmitt e ka quajtur 𝙙𝙤𝙢𝙚𝙣𝙞 𝙦𝙚𝙣𝙙𝙧𝙤𝙧 i prodhuar nga pushteti, që në rastin tonë është ideja se opozita ka humbur një palë zgjedhje normale dhe demokratike. Sapo vetëdija thjeshtëzuese e shqiptarit të zakonshëm akomodon këtë domen qendror, nis reaksioni zinxhir i ndjekjes besnike të narrativës së regjimit mbi zgjedhjet: Basha ka humbur zgjedhjet [lexo: zgjedhjet e lira dhe demokratike], për pasojë ai duhet të japë dorëheqjen.

Për regjimin, tani për tani, pak rëndësi ka nëse Basha jep dorëheqjen apo qëndron/rizgjidhet kryetar i partisë kundërshtare. Rëndësia e këtij procesi qëndron në trajnimin e trurit të shqiptarit të thjeshtë me modelin e një situate normale postzgjedhore shqiptare, ku spikat mospranimi i rezultatit nga humbësi dhe ndezja e rivalitetit për lidershipin në krahun e humbësit. Mospranimi i rezultatit është një lëvizje e detyruar për Partinë Demokratike, e cila beson dhe po sjell prova për të dëshmuar megaoperacionin e manipulimit dhe blerjes së votës. Ndezja e rivalitetit për lidershipin e PD-së mbetet të jetë elementi kyç për të plotësuar 𝙥𝙪𝙯𝙯𝙡𝙚-in që i nevojitet pushtetit për të ngulitur narrativën e tij.

Lufta që duhet të bëjë opozita në përgjigje të etapës 𝙛𝙤𝙡𝙡𝙤𝙬 𝙪𝙥 të projektit anti-rotacion të Ramës është të ofrojë modelin e të menduarit që përdoret zakonisht nga opinioni publik për të akomoduar narrativën e manipulimit të zgjedhjeve. Rruga klasike për ta bërë këtë është mbledhja e provave, publikimi i tyre në media dhe ndjekja e procedurës ligjore të hetimit e dënimit të krimeve zgjedhore dhe, nëse provat e mbledhura janë kaq të forta, kërkesa për të shpallur të pavlefshëm procesin zgjedhor pjesërisht ose plotësisht. Siç edhe është dëshmuar nga komunikimi i ditëve të fundit, opozita është duke e bërë këtë.

Megjithatë, duhet pranuar se me institucionet e drejtësisë në kontroll të plotë të regjimit, të pakta janë gjasat që procesi të delegjitimohet duke ndjekur këtë rrugë dhe narrativa e manipulimit të zgjedhjeve të pranohet gjerësisht nga opinioni publik. Rruga ligjore duhet të shoqërohet nga një përpjekje ligjërimore për të ndihmuar opinionin publik të shpëtojë nga kurthi i narrativës së normalitetit fals dhe t’i rikthehet kauzës së tij të fushatës së fundit: nevojës për 𝙣𝙙𝙧𝙮𝙨𝙝𝙞𝙢.

Një varg studimesh të fushës së psikologjisë sociale dëshmojnë se njerëzit priren të mos i pranojnë dhe t’i konsiderojnë të pandershme rezultatet e një procesi nëse ato shkelin identitetin e tyre personal dhe shoqëror. Një konkluzion i pranueshëm gjerësisht nga fushata e fundit është se ndryshimi, apo rotacioni, dhe jo procesi i ndershëm dhe demokratik i zgjedhjeve, ishin aspirata e një shumice të madhe shqiptarësh. Edhe vetë ligjërimi i liderit të opozitës Basha gjatë kësaj fushate nuk përjashtonte përpjekjet e mëdha që po bënte regjimi për të manipuluar zgjedhjet, por këto përpjekje nuk do të mjaftonin për të ndalur vullnetit e gjerë për ndryshim.

𝙉𝙙𝙧𝙮𝙨𝙝𝙞𝙢𝙞 ishte fjala kyçe e fushatës për rrëzimin e Ramës dhe ky i fundit u kujdes të mos e përmendte pothuajse asnjëherë. I vetëdijshëm se t’i jepje fuqi këtij termi ishte shkatërrimtare për të, Rama nuk guxoi as ta përfshinte në estradën e tij të satirës dhe përtalljes së zakonshme që ai u bën tezave të opozitës. Në thelb, e gjithë lufta e Ramës ishte të mos lejonte që ndryshimi të ndodhte. Ndryshimi ishte fjala kyçe që merrte konsensusin më të madh mes shqiptarëve gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit. Pra, mund të thuhet se ndryshimi u bë identitet i shumicës së qytetarëve.

Kjo mjafton si arsye që opozita ta formulojë kauzën e saj të delegjitimimit të këtyre zgjedhjeve duke i paraqitur ato siç në fakt janë: një proces kolosal manipulimi dhe deformimi që synonte dhe ia arriti të pengojë ndryshimin. Në këto zgjedhje nuk humbi opozita por nuk u lejua të ndodhë rotacioni si instituti i vetëm që bënte të mundur ndryshimin. Përtej kërkesës së shumicës së shqiptarëve për ndryshim, të gjitha mizanskenat e politikës së vogël synojnë që shqiptarët të harrojnë pikërisht atë aspiratë që i mbushi me shpresë dhe energji pozitive çdo ditë deri më 25 prill.

Kauza e të gjithë shqiptarëve që kërkuan dhe pritën ndryshimin në këto zgjedhje është, të paktën, të delegjitimojnë megaoperacionin e manipulimit që nuk i lejoi të sjellin ndryshimin dhe që rrezikon të mos i lejojë ta bëjnë këtë asnjëherë tjetër. Ky rrezik i vdekjes një herë e përgjithmonë i institutit të rotacionit si instrument ndryshimi duhet t’i shqetësojë sot shqiptarët dhe për këtë duhet të flasë, të përpiqet dhe të kontribuojë çdo zë opozitar. Përndryshe, jemi të dënuar të ndjekim fatin që na ka parashkruar regjimi, fat i cili ka nisur t’i shpalosë menjëherë mërzinë dhe zymtësinë e tij.