Qeveria italiane merr një vendim për lejet e qëndrimit të emigrantëve. Përfitojnë edhe shqiptarët

Italia ka shtyrë deri më 31 korrik 2021 afatin e gjendjes së emergjencës shëndetësore.

Qeveria Draghi ka firmosur draftligjin e ri i cili parashikon dispozita urgjente për afate legjislative provokuar nga situata pandemike.

Një prej tyre është kohëzgjatja e lejeve të qëndrimit të skaduara për emigrantët.Kriza pandemike ka provokuar vonesa në rinovimin e dokumentave për emigrantët, e qeveria italiane ka vendosur që të shtyjë afatin kohor të lejeve të skaduara deri më 31 korrik 2021, pra deri në të njëjtën ditë kur merr fund dhe gjendja e emergjencës kombëtare shëndetësore.

Në dokument thuhet se “lejet e qendrimit që kanë skaduar brenda afatit kohor 30 prill 2021, shtyhen automatikisht deri më 31 korrik 2021. Ndërkohë palët e interesuar mund të prezantojnë kërkesën për rinovim.”

Shtyrja e këtij afati përmbledh këto kategori:

-Leje qëndrimi për motive pune, për punësim autonom, për motive familjare, për bashkim familje, për kërkim shkencor, për shkollim, për kualikfikim të specializuar profesional, për vullnetarizëm e për dokumentat e udhëtimit për emigrantët që mbajnë statusin e refugjatit.

Përfshin gjithashtu dhe të gjithë ato kërkesa që emigrantët kanë prezantuar për të konvertuar lejet e tyre të qëndrimit nga për motive shkollime në motive pune, apo nga punësim sezonal në punim të përhershëm.

Sipas raportit të Ministrisë italiane të Çështjes Sociale, 68.8% i emigrantëve shqiptarë në Itali janë të pajisur me leje qëndrimi afatgjatë e e 31.2% me leje qëndrimi të rinovueshme.

Gjatë vitit të fundit, në Itali, 63.2% e lejeve të qëndrimit të lëshuara për emigrantët shqiptarë, janë dhënë për motive familjare.

23.3 % e lejeve të tyre të qëndrimit janë dhënë për motive pune, 1.7 % për motive studimi, 1.2% për motive humanitare e azilkërkues e 7.3% për motive shëndetësore, fetare etj.

Numri më i madh i lejeve të qëndrimit, dhënë për motive pune, i përket sektorit të ndërtimit ku janë të punësuar rreth 28% e të punësuarve shqiptarë.

Shqipëria mban vendin e parë dhe për numrin e lartë të studentëve në universitetet italiane.

Gjatë vitit të fundit 2019-2020 janë 75 203 studentë shqiptarë të regjistruar në universitetet italiane me një rritje prej 8.5% në krahasim me një vit më parë e baraz me 12.1% të studentëve jo komunitarë në sistemin shkollor italian.

Draftligji i aprovuar nga qeveria italiane ka shtyrë dhe afatin e skadimit për kartat e identitetit si për qytetarët italianë ashtu dhe për emigrantët.

Janë bërë të vlefshme deri më 30 shtator 2021 të gjitha kartat e identitetit të skaduara brenda datës 31 janar 2020.