Publiçisti Baçi: Policia nuk është më polici e shtetit, është polici e PS. E patë si gënjeu në Elbasan për ID

Publiçisti Agim Baçi, i ftuar në studion e Ora News u shpreh se shit-blerja e votës është kthyer në diçka normale për qeverinë dhe shteti me partinë janë bërë një.

Sipas Baçit, mentaliteti që ky fenomen është diçka normale është gjëja më shqetësuese.

Ju keni qenë dhe kandidat në Durrës. Kemi pasur së fundmi një skandal të publikuar që flet për rreth 40 milionë euro të alokuara nga buxheti i shtetit drejt qytetarëve sa i përket fondit të rimëkëmbjes nga ndërtimi. Në gjykimin tuaj, ka ndikuar në qytetin e Durrësit, tek vota e qytetarëve ky fond?

Baçi: “Padyshim. Unë e kam prekur gjatë gjitha muajit të fushatës se si thërriteshin njerëzit në bashki, të cilët kishin një vit e gjysmë që prisnin të meremetoheshin shtëpitë, kishin shkuar dhjetëra herë në bashki dhe nuk i priste askush, dhe papritur administrata e bashkisë ishte shumë e interesuar që ata të merrnin paratë e meremetimit dhe madje më shumë.

Po të shikojmë raportin e OSBE ata konsideruan si më të rëndë sesa shit-blerja e votës, shkrirjen e shtetit me partinë të bërë njësh, pra ne duhet të shqetësohemi shumë që tashmë nënpunësit e shtetit janë njëkohësisht dhe nënpunës të partisë. Ata nuk mund ta mendojnë jetën e tyre jashtë jetës së partisë. Kjo duhet të na shqetësojë shumë, sepse ne e dimë ç’pasojë ka kur shteti dhe partia bëhen një.

Duhet të na shqetësojë mentaliteti që kjo është normale. Mua më shqetëson që njerëzve u duket normale. Ka pasur njerëz që thonë se shit-blerja e votës nuk filloi këtë radhë, ka pasur nga ata që thonë se e ka përdorur dhe opozita e sotme, por ajo që më shqetëson mua është fakti që kjo qeveri e solli në normalitet, pra e ka konsideruar normale, pra nuk është më një gjë që fshihet.

Mund ta kenë bërë, por asnjë nuk është krenuar me idenë që kanë blerë vota, ndërsa sot duket normale dhe është anormale ai që thotë nuk do blej vota.”

Ju, siç e thatë keni pranuar që të keni nëj politikë të moralshme dhe në krahun tjetër e keni parë makinerinë elektorale që vetë e cilësioi kështu kryeministri Rama. Në qoftë se kjo ishte e prekshme, pse opozita del sërish me tezën na u vodhën votat?

Baçi: “Vetë fushata e zotit Basha ishte një fushatë pozitiviste, deshi t’i thoshte njerëzve se çfarë kishte ndërmend të bënte, deshi t’i thoshte qytetarëve se nuk do t’i përdorte për interesa. Unë jam kundër që qeveria e përdor qytetarin si “një gjë” jo një individ, po “një gjë” që mund ta përdorë. Basha vendosi të ishte pozitivist, pra t’i ftonte njerëzit në një program ku foli për taksa që do uleshin, për një afrim tjetër kulturor pra zgjodhi të ishte ky.

Policia nuk është më polici e shtetit, është polici e Partisë Socialiste. Ne pamë se si gënjeu policia lidhur me ngjarjen e Elbasanit dhe tha se aty nuk kishte materiale që kompromentonin materialin zgjedhor dhe pas zgjedhjeve doli që në fakt ishte krejt e kundërta. Kur i gjithë shteti vihet në dispozicion, jemi një hap larg diktaturës. Kjo është e rëndë.”