PS-ja e sotme është shndërruar në makineri e krimit të organizuar

Eden Babani, Bruksel

1. Ujk me lëkurë qengji apo gjarpër që e ndërron lëkurën për t’i dalë një tjetër?…

Të enjten e shkuar, në rubrikën Opinion të TV Klan, pamë një tjetërsoj Edi Ramë. E pati flakur tej mantelin e sektarizmit, për të veshur atë të eklektizmit. Thënë shqip, ndërroi tezën e vjetër të intolerancës, të përplasjes si demat brirë për brirë, me një tezë paszgjedhore më dobiprurëse, atë të përqafimit e të puthjes buzë më buzë. Edhe më shqip akoma, siç gjarpri ndërron lëkurën, por sërish mbetet gjarpër, Rama na u paraqit me lëkurë qengji sipër asaj të ujkut, me të cilën u end poshtë lart ditët e fushatës.

Siguri, pas numërimit të votave dhe shpalljes paraprakisht të rezultateve nga ana e KQZ-së apo frikë për rinumërim, si rrjedhojë e fakteve që vërtetojnë vjedhjen më të madhe në historinë tonë postkomuniste?

Siguri e shtirë, do të thosha pa hezitim, pasiguri, madje frikë e madhe. Llahtar. S’ka sesi shpjegohet ndryshe që gazetarëve u priste fjalën me shprehjet standard “po ta them edhe njëherë”, “ më lër të mbaroj”,“lexo”etj.

Asnjë pyetjeje nuk iu përgjigj drejtpërdrejt, një huq i tij politik sa i vjetër, aq edhe qesharak. Por këtë herë, u bë edhe më qesharak, teksa ftoi për bashkëpunim Lulëzim Bashën, duke shënjestruar në lule të ballit liderin e saj historik, Dr. Berishën.

Edi Rama e di fare mirë se Dr. Berisha dhe Lulëzim Basha janë dy anë të së njëjtës medalje. I njeh fare mirë arritjet e tyre dhe të PD-së për stabilizimin e rendit demokratik në një vend të dalë nga totalitarizmi ekstrem.
Mjafton të përmend vetëm dy: hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë, prej të cilave ka përfituar jo vetëm i djathti, por edhe i majti, madje edhe ai që s’do t’ia dijë as për të majtën, as për të djathtën politike. Tashmë të gjithë ne, qytetarët e Shqipërisë, ndihemi të sigurtë nga çdo agresion i mundshëm, teksa mund të lëvizim në hapësirën Schenghen pa zënë radhë nëpër dyer ambasadash.

Kryeministri e di akoma më mirë se Luli nuk është kukull në duar të Dr. Berishës dhe të Ilir Metës, siç rrihte të bënte shantazh në sytë e opinionit mbarëshqiptar, përpara 25 prillit.

Rama e krahasoi PS-në me një makineri pune që s’pushon së funksionuar as ditë, as natë. Është një nga të vërtetat e pakta që ka thënë gjatë gjithë karrierës së tij politike. Por nuk tha një tjetër të vërtetë, jo më pak të njohur dhe jo më pak domethënëse, madje tronditëse. PS-ja e sotme është shndërruar në makineri e krimit të organizuar.

Pse, pra, gjithë kjo zhurmënajë?

E para, për diversion në radhët e PD-së. E dyta që të përçajë opozitën. E treta që të bëhet i besueshëm në sytë e opinionit ndërkombëtar, si fitues i zgjedhjeve.

Për të parën, trimërohet nga ata që kërkojnë dorëheqjen e Bashës, pa e çuar deri në fund aksionin e nisur. “Topçinj, që i kanë mbajtur fitilat ndezur”, sipas analistit Zheji,

Për të dytën, frikësohet se i del blof propaganda e “rënies drastike e LSI-së”, – siç e quajnë çirakët e Kryeministrit vjedhjen e votave të një partie bash të majtë. Me demek se e majta shqiptare, voton më tepër PS-në, sesa LSI-në. Lidhur me këtë, citoj zotin Petrit Vasili: “Zgjedhjet vazhdojnë dhe opozita ka detyrë të mbrojë vullnetin e sovranit deri në rinumërimin e votës së fundit… Kushdo që bën lojën e Satrapit të zgjedhjeve të lira, është i shitur tek ai.”

Për të tretën, shtirja e Ramës si qengj ka domethënie të dyfishtë. Nga njëra anë, shtihet se jep sinjale paqësore. Nga tjetra anë, bën zhurmuesin në veshët e ndërkombëtarëve. Domethënë, unë i ftoj të bashkëpunojmë, por ata s’ më dëgjojnë.

* * *

2. Një intermexo e shkurtër

Duke lënë të hapur fundin e këtij teksti pas kësaj intermexoje zbavitëse, po sjell një episod nga jeta ime e shumë viteve përpara.
Në një nga klubet e Ujit të Ftohtë, haheshin e s’flisnin njëri me tjetrin banakieri me kamerierin, që të dy të përfolur për spiunë të Sigurimit, siç rëndom vendoseshin asohere të tillët nëpër klube, restorante, hotele, kinkaleri, madje edhe si taksistë.

Ne, të rinjtë, që turreshim pas qyfyreve, ngacmonim kamerierin, jo vetëm se me të jepnim e merrnin drejtpërdrejt, por edhe se mund ta rrotullonim gjuhën pa u vënë tepër në siklet. Ishte minoritar nga një fshat i Dropullit, fare pranë kufirit me Greqinë. Nuk kishte bërë vitin që kishte ardhur në Skelë të Vlorës, pranë të atit, oficer kufiri. S’do mend që ne na kuptonte ca shqip e ca greqisht. Edhe llogarinë na e bënte “tris pende, dhekapende”. Edhe shqipen e fliste allah-allah.

Ne: Po ç’ kini, bre, që s’flisni? Jeni kolegë, bre! Dyfish kolegë!…

Ai: M’ u prish gjiza për ai, mua!… U i flet, ai s’ me flas. U i them hajde, ai nuk hajde.

Dhe ne shkriheshim së qeshuri…

* * *

3. Njolla të zeza zgjedhjeve nga ata që dinë më shumë se unë

Këto ditë, media ndërkombëtare më në zë e Republikës Federale Gjermane Deutche Welle (DW), i mori një intervistë zonjës Gacek, Drejtuese e Misionit OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Intervista tashmë është publikuar e plotë dhe mund ta lexojë kushdo. Megjithatë, pa u bërë i mërzitshëm, them se ia vlen të citoj ndonjë pasazh të intervistës, që nxin imazhin e partisë-shtet të Edi Ramës dhe i zhvleftëson zgjedhjet.

1. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u bënë shumë vonë, në tetorin e kaluar, “…prandaj ka pasur shumë mospërputhje dhe paqartësi në raportin mes ligjit zgjedhor dhe rregulloreve.”

2. “Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës, keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore, qëndrimi i turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit…”

3. “…kur ke logon e partisë në maskën anti-Covid, nëse je duke mbajtur fjalim dhe thua ‘më votoni’, atëherë kjo nuk është e lejueshme, e kapërcen kufirin e së lejueshmes.”

Falemnderit, zonjë e nderuar. Komentet, do të ishin të panevojshme. E vetmja gjë që na mbetet tashti e tutje, është të ngushëllohemi me përqafimet nga larg të Edi Ramës, ose, ajo që ju s’mund ta thoshit dot haptazi, por që e ka thënë Presidenti Meta pa ekuivokë: Të mprehim sfurqet…