Juda, Puthja, Paraja dhe Pendesa (Personale)


Për 30 monedha Juda e puthi Jezuin në kopshtet me ullinj, duke e paditur me këtë gjest tek ushtarët, që e kërkonin. “Judë? Po e tradhton Birin e Njeriut me një puthje?!” – tha Jezui. Ishte një gabim historik, i cili përsëritet sa herë që përsëritet dhe rilexohet historia, një akt po aq i rëndë sa edhe kryqëzimi. E shiti me një puthje, e nisi drejt kryqëzimit me një përqafim fatalist, e përmbushi profecinë me buzët e tij të pabesa. “Njëri prej jush do të më tradhtojë” – tha Jezui në Darkën e Pashkës dhe pas kësaj iu kthye Judës: “Bëje shpejt, atë që ke ndërmend të bësh”. Jo më kot ai ishte arkëtari i grupit të 12 dishepujve, hajduti që vidhte paratë e dhuruara nga besimtarët e parë. Lakminë nuk arriti ta përmbante deri në skajet e tradhtisë, aq sa e shiti edhe Jezuin me çmimin e një skllavi të zakonshëm në ato kohë. Juda ndjeu keqardhje dhe pendesë të fortë, pasi e tradhtoi Jezuin. Ai ktheu 30 monedhat, por as monedhat as pendesa nuk u pranuan, ndaj ai vrau veten. Vetëndëshkimi ishte fundi i fajtorit. Me paratë që ktheu Juda më vonë u ble një tokë për varreza të peligrinëve besimtarë. Jezui kish thënë për kohë më parë: “Për të do të kish qenë shumë mirë të mos kish lindur fare. I mjeri ai njeri që e tradhton Birin e Njeriut”. Djalli në kohët moderne po e shtyn njeriun e zakonshëm të jetojë si Juda, dhe ai nuk po mundet t’u rezistojë presioneve. Në njërin krah e shtyjnë Judat e në tjetrin e tërheqin Barabajt.

Përgatiti Ilirian Agolli

more recommended stories

loading...