Gjyqtari i njohur humb jetën nga COVID-19. Emri

Koronavirusi i ka marrë jetën një tjetër emri të njohur. Gjyqtari Durim Kadiu pas disa javësh i shtruar në spital e humbi luftën me sëmundjen duke ndërruar jetë. Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, historiani Kastriot Dervishi që njofton lajmin e trishtë e cilëson të pabesueshme ikjen parakohe të mikut të tij.

“Për njeriun e mirë Durim Kadiu. E pabesueshme! Miku im i mirë, Durim Kadiu nuk jeton më. Sëmundja e mallkuar covid 19, e cila e sfiliti për disa javë, i mori jetën. Nuk do kemi më midis nesh njeriun fisnik, gjyqtarin dhe familjarin shembullor.

Njeri i ligjit nga viti 1994, gjyqtar, kryetar i Gjykatës së Kavajës, drejtor i kabinetit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndihmësgjyqtar i Gjykatës së Lartë, Durimi la kudo emrin e një njeriu të mirë dhe profesionisti të përkushtuar. Ngushëllime për nënën e tij, bashkëshorten dhe vajzat. Shpirti i tij pushoftë në paqe në amshim” mbyllet mesazhi prekës.