“8 vjet njëri, 8 vjet tjetri..” | Indrit Vokshi

Nga Indrit Vokshi

Paratë në Shqipëri i kontrollon shteti. Shteti vendos cila familje do pasurohet, cila do ketë akses, privilegje, cili do falimentojë, cili jo. Përdor tatimet dhe hetimet kundër disave dhe, tenderat e prokurimet pro disa të tjerëve.

Ndarja e pushtetit 8 vjet njëri, 8 vjet tjetri, shërbente si balancim e peshore. 8 vite do ndaheshin para e privilegje, do ngriheshin biznese dhe qarkullonin të mira për një grup të shoqërisë shqiptare, pastaj 8 vite për grupin tjetër; secili grup do shpërndante në hemisferën e vet. Dhe kështu vendosej njëfarë balance mes grupimeve në shoqëri.

Ky model është problematik, pa dyshim, mirëpo ky është modeli që kemi. Nuk kemi ekonominë e tregut disi liberale, pa ndërhyrje të rëndë shtetërore, me ndërmarrje të mëdha që qarkullojnë paratë.

Prishja e rregullit 8-8, do e zhbalancojë ekonominë e shqiptarëve dy herë. Herën e parë duke thelluar hendekun e shoqërisë në tërësi, kundrejt disa familje të pasuruara prej tenderave shtërore dhe, herën e dytë, duke krijuar zhbalancim të rëndë mes palës në pushtet për 12 vite dhe palës në opozitë për 12 vite.

Dukeqenëse pushteti ka patronazhistë dhe mban nën vëzhgim e kontroll, do të krijohet edhe një masë kritike e gjerë njerëzish të cilët sdo lejohen të ngrenë biznes sepse do goditen me tatime dhe hetime, ose do paguajnë çmim të lartë. Sdo mundin të emëronen në poste shtetërore dhe të kenë akses. Do krijohet shtresa e eksterminuar e shoqërisë, ata që sduhen lejuar të ecin përpara. Dikur, regjimi komunist i quante “klasa të përmbysura”, sot e në vazhdim do quhen “ata që kanë humbur” dhe që duhen shtypur.

Kjo do shpjerë në tension social, frustrim, akumulim dhe energji për revoltë. Se kush do e shfrytëzojë dhe për çfarë qëllimesh, mbetet për tu parë. Siç shkruan gjeostrategjisti Dominique Moisi, poshtërimi dhe të ndjerit i poshtëruar është forcë tmerrshme e cila i lëviz njerëzit.

more recommended stories

loading...