Nuk ka më kohë për të humbur!


Nga Kolindo Vjerdha

Realiteti sado i stisur mbetet realitet. Koha kalon dhe e nesërmja mbetet enigmë. Në fytyrat e ndryshimit mbizotëron zhgënjimi. Zhgënjim shumëplanësh, që nis nga vetja e përfundon te vullneti i gabuar. E mira mbetet përceptim dhe koha është ajo që e vulos atë. Po ecim në një tjetër Shqipëri, në një tjetër mendësi. Gjykimi sot bazohet në gafa, shaka, tallje, forcë dhe mbi të gjitha paaftësi. Të ecësh për vite me rradhë në dështime dhe rezulatet të mos flasin kundër?! Kjo është çudia më e madhe që as subkoshienca nuk arrin ta përceptojë. Notojmë në ujra aq të tubullta që analiza nuk arrin të bëhet. Koha humbet dhe pushteti forcohet. U dëshmua se sistemet ngrihen me një strukturim që tejkalon perfekten. Diferenca bëhet tek detajet dhe mirëorganizimi. Tashmë s’ka mbetur gjë tjetër veçse të heshtim. Ky popull qenka i tillë, votën se koncepton si “armë demokratike” në duart e tij, por si një mundësi të rrëmojë pak të ardhura që as për një ditë nuk do mund t’i dalin.
Sot është dita ku të reflektojnë të gjithë, dhe përgjegjësia të merret nga ata që i takon. Kjo ishte mundësia e fundit. Nuk mund të presësh në një kohë kur të tjerët vrapojnë. Mekanizma të kthyer në sistem të provuara me dëshmi të qarta përcaktuan rezultatin. Hera e parë që merret një mandat i tretë në Shqipëri. Ndoshta përceptimi im ndikohet edhe nga emocione, por ama diçka që e kam bindje është së fundi i ekonomisë shqiptare, i demokracisë, i luajalitetit mes pushteteve do vijë me këtë mandat. Një vend ballkanik që mban një Kryeministër për tre mandate, e kemi parë si përfundon në Serbi, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Uroj që koha të dëshmojë të kundërtën sepse askush nuk ia do të keqen vendit të tij, ama parashikoj një të ardhme të errët për vendin tim.
Doja ndyshimin përtej bindjeve, përtej programeve, doja ndryshimin që demokracia të ecte përpara. Përgjigjen ma dha populli im. Ai zgjodhi. Ky ishte vullneti i tij. Për këdo që konstatoi shitje votash e ftoj të hesht. Populli zgjodhi vetë të shitet. Sot kushdo që donte ndryshimin duhet të ulet e të reflektojë. Dëgjoj shumë të rinj që janë zhgënjyer, ndoshta edhe me të drejtë. Largimi juaj nga vendi do ishte kapitullim për të gjithë ne. Menduam, logjikuam, por nuk ndodhi.
Ka ardhur koha të reformojmë frymën brenda nesh. Të kuptojmë se në një botë moderne nuk fitohet me lopatat e vjetëruara. Ecim dhe gjithmonë themi se kemi reflektuar, por në të vërtetë se kemi bërë. Të mandatosh një rezultat të tillë pas 8 vite qeverisje, tregon që fryma të cilën përçuam nuk arriti të depërtonte në sistemin perfekt të organizuar. Pranimi i realitetit është njëra anë e medaljes, ama tjetra duhet të na nxitë të gjejmë mekanizma për të ecur përpara. Të gjejmë mekanizma të ndryshojmë vetveten. Në një vend ku pushteti s’të konsumon, tregon që ke ngritur një sistem rreth vetes që e dikton realitetin. Në këtë botë divergjente që jetojmë, merita nuk i shkon të kamufluarve, por qëndrestarëve ndaj parimeve dhe bindjeve të ngritura me kalimin e viteve.
Askush nuk mund ta mohojë që këto zgjedhje kishin shumë problematika. Shitblerja e votave, përdorimi i pushtetit, kërcënimet tashmë janë pjesë integrale e çdo palë zgjedhjeve që zhvillojmë në Shqipëri. Mekanizmat e vendosjes së ligjit kanë dështuar në dënimin e këtyre abuzuesve. Problemi qëndron që nëpërmjet këtyre fenomeneve kthehesh lehtësisht në faktor politik duke siguruar mandate deputetësh. Nëse edhe këtë herë ndërkombëtarët zgjedhin të heshtin, populli nuk duhet ta bëjë. Përtej partive politike, kjo ka të bëjë me dinjitetin tonë. Ne lëjojmë si popull të na blejnë dhe të nëpërkëmbin të ardhmen tonë. Realisht këto zgjedhje duhet të jenë një pikë kthese dhe të kuptojmë se kështu nuk vazhdohet më. Nuk është e rëndësishme e ardhmja e një apo disa partive politike sesa e ardhmja dhe integriteti i secilit prej nesh. Është momenti të kuptojmë që nuk ka më kohë për të humbur!