Po tani, çfarë do bëjmë, kryetar? – Indrit Vokshi

Nga Indrit Vokshi

Së pari, dua të sqaroj diçka, se sdua që portalet e pisëta anti-opozitë ta marrin e ta përdorin ketë shkrim duke shkruar “ja edhe filani kundër”; ky shkrim nuk është për ta përdorur ju, as mos guxoni ta postoni. Nuk është shkrim i dikujt që mund të përdoret nga monstra “të pavarura” për të përçarë opozicionin. Është reflektim i një demokrati, opozitari i cili po komunikon haptas, ngaqë mendon se politika është publike. Tani vazhdojmë.

Pas humbjes së 2017, na u kërkua mbështetja dhe mbrojtja e Lulzim Bashës. Kam votuar për Bashën kryetar partie. Kam besuar se duhet të rrinte kryetar, smë ka detyruar njeri ta votoj. Kam besuar sepse ajo ishte dielektika e politikës shqiptare, secili kryetar opozite, humbi zgjedhjet e para por u forcua dhe fitoi në të dytat. Në analizën e zgjedhjeve, analizë formale dhe pa produkt, analizë e cila nuk prodhoi kurrë një rezolucion partie ku të identifikoheshin problemet dhe të rikuperoheshin, partia ta adoptonte e ta zbatonte rezolucionin, kam shtruar të gjitha problemet, aq sa më thanë “Ou, si e the”.

Më pas në 2019, na u kërkua të votonim në Këshill Kombëtar, djegien e mandateve. Kam menduar, kjo që po bëjmë është e tmerrshme, pavarësisht se ata e meritonin tua hidhje parlamentin në erë. Ngritëm dorën, duke menduar se lidershipi është më lart në majë dhe, prej atje lart sheh horizonte të cilat ne nuk i shohim, ka informacion më shumë, ka komunikim më shumë me Shqipërinë dhe me botën. Besuam tek strategjia dhe u zhgërryem në protesta.

Na u kërkua bojkoti i zgjedhjeve lokale. Edhe më e tmerrshme por e pritshme, se smund të futeshim në zgjedhje pasi u dogjën mandatet. Shumica e Këshillit me kokë ulur duke menduar çfarë po bëjmë. Më kujtohet u ngrit Jemin Gjana e deklaroi se kjo që po bëjmë sot nuk është shaka, është akt i rëndë e i jashtëzakonshëm, mos e merrni me të qeshur (se po qeshnin disa nga fundi). Dolëm krejt nga sistemi.

Kur del nga sistemi, dilet tërësisht, nuk mund edhe të dalësh edhe të mos e denoncosh krejt sistemin. Shkruajta artikullin “PD, revolucionare apo legjitimiste”. Argumentova më tej se kur del, duhet t’i denoncosh me radhë dhe me emra, politikanët, gazetarët dhe analistët e pushtetit dhe, mbi të gjitha, oligarkët e pushtetit. Jo po smerremi me biznesmenë, smerremi me analistë e gazetarë, smerremi me ketë e me atë. Duhet lexuar “Taktika e revolucionit”, libri i Leninit. Ata sjanë se sjanë me ne, ndaj duhet mobilizuar shoqëria kundër tyre. Nuk mund të shpresosh se sapo të afrohet data e zgjedhjeve, do jenë me ty. Pse do jenë me ty? E vërtetuan zgjedhjet; të gjithë oligarkë, analistë e tenderistë, me Ramën, kundër popullit shqiptar. Sistemin e zuri Rama dhe e luan Rama, ne duhet të jemi kundër, duhet të bëhemi revolucionarë, me krahun tjetër, anti-sistemit zyrtar. Ska punë dogme këtu, ta kërkon nevoja. As e përfillën fare si ide. Padyshim, interesat brenda sistemit.

Shkuam drejt zgjedhjeve, qetë e qetë, me frymë legjitimiste. U hartuan listat. Shumë vetë u çmendën. Jo se ishin njerëz të këqinj të kandiduarit në qarqet e mëdha e kyçe, smund ta them ketë. Mirëpo njerëzit “deep state” të partisë i njihnin konjukturat, njihnin personat dhe thanë, kemi frikë se këta sdo munden ta çajnë ashtu si duhet barrierën. Duhen njerëz më të shkathët, më mafiozë në thonjëza, më energjikë dhe më njohës të politikës shqiptare. Nuk na duhej të përballeshim me veten, nuk na duhej të bindnim njëri-tjetrin se jemi më të mirë e më të moralshëm. Duhet të përballeshim me sistemin “Rama”. Dhe përballja me ketë sistem, kërkon metodat e veta të përshtatshme. Qokat dhe gjërat personale nuk kanë vend në lista, jam dakord.

Shkoi PD 620.000 vota, nga 682.000 që kishte koalicioni në 2013 dhe 456.000 në 2017. U rritëm me 15 mandate, shumë mirë. Duheshin 64 ne, 10 LSI-ja. Nuk e di qartë se kush nuk e pranoi koalicionin me listë të përbashkët, mesa kuptoj, LSI-ja. Po a sduhej parashikuar se LSI sdo mund të merrte aq shumë sa në 2017? Diçka duhej bërë. Ose duheshin 3 muaj rresht të thirreshin të gjithë faktorët e qyteteve të Shqipërisë dhe tu bëhej e qartë marrëveshja ose duheshin kandidaturat që i bëjnë ata marrëveshjet, vetë. Njëra nga këto, duhej. Tashmë gjithçka iku.

Nuk futem tek kategoria e këtyre që po e shfrytëzojnë ketë krizë brenda partisë për të bërë zhurmë, për hakmarrje, për inate apo për skenare.. apo se aq ua pret truri. Sdo jem kurrë karikaturë politike.

Mirëpo, si njeriu i cili ka qëndruar për gjithçka pa marrë asgjë, kam legjitimitetin për të pyetur; po tani, çfarë do bëjmë? Sepse deklaratat se beteja sapo ka filluar, ngjajnë anakronike dhe patetike pas 8 vitesh.

Kaq dhe nuk shkruaj më për ketë çështje ngaqë PD ka grupin legjitim parlamentar të cilët përfaqësojnë zyrtarisht interesat e opozitarëve dhe, smë takon mua të merrem, ngaqë smë kanë votuar mua për tu marrë.

more recommended stories

loading...