Prej sot, jam Opozitë Vetjake – Nga Indrit Vokshi

Do jem i pakordinuar me ndonjë parti dhe “vijë partie”. Kam qenë këto 8 vite sepse kam qenë në skuadër, jo vetëm, ndaj jam kufizuar për të shprehur shumë gjëra. Se kur je skuadër, luhet me mentalitetin e asaj skuadre. Rregulli numër një ky.

Të jem unë, si njoh zgjedhjet. Pse? Unë e di çfarë është bërë. Rama ka blerë si në derr të egër. Por ka një problem, nuk kam prova. Skam si të kem prova. Është e pamundur t’i kesh, ngaqë ngjarjet zhvillohen në rreth të ngushtë, natën, në konspiracion të plotë. Kam thjesht informacion, ky bëri ketë, ai bëri atë. Rama hodhi lekun e pafarë. Përqëndroi policinë, forcat operacionale, krimin ekonomik, civilët, për ta neutralizuar LSI-në për të mos blerë LSI-ja vota dhe, shkoi i bleu vetë votat. Ramën skishte kush ta ndalonte, sepse shtetin e ka vetë. Prandaj skemi pse pranojmë sistem fasadë. T’i njohim se duhen njohur, sa për formalitet ambasadorësh, duke e ditur si qëndron e vërteta? Çfarë vlere ka formaliteti? Koha e sinqeritetit, jo e formalitetit. Ambasadorët vetë po e lejojnë ketë model, sepse e duan Shqipërinë qenef. Pse nuk e themi? Pse ecim ende me teoritë e gjytyrymëve se “ambasadorët duan shqiptarët”? Pse gënjejmë veten kaq rëndë? Pse ky mazohizëm?

Tani të sqaroj diçka! Nuk jam kundër PD as kundër demokratëve, sbëhet fjalë; ta sqaroj ketë, se mos keqkuptohen këta qyqet. Votën e të dielës e shoh në përgjithësi si votë hallexhinjsh, si votë e njerëzve të varfër e të paprivilegjuar, si votë e njerëzve të eksterminuar dhe nga shteti i cili aplikon diskrikimin strukturor, ekonomik dhe në akses; ua lejon të vetëve, ua mohon të tjerëve. E shoh si votë të njerëzve që kanë nerv rebelimi, jo prej dashurisë për opozitën, se ska dashuri për parti, por si mospranim të poshtërimit dhe fyerjes.

Jam thellësisht kundër Edi Ramës. Nuk kam gjë personale, skam si të kem, se sjam takuar kurrë me të. Nuk pranoj modelin e tij. Është i tepërt për shqiptarët e sfilitur. Tepër i rëndë për gjunjt e shqiptarëve me të ardhura familjare më të ultat. Tepër mbytës për shqiptarët e dalë nga koperativa e komunizmit, me trauma. Nuk shkon, sapo hapën pak sytë, t’i përplasësh prapë, nga burgu në burg. Pse?

Me vijë partie, do duhet t’i shkoj vijës së partisë, do gridem me ta kot, do më marrin inat edhe militantët. Nuk do mundem t’i shpalos siç duhet mendimet dhe pikëpamjet. Dua të jem revolucionar, sdua t’ja njoh legjitimitetin këtij sistemi. Sdua ta njoh si legjitime pasurinë dhe dhe fuqinë e oligarkëve të cilët janë pasuruar pa prodhuar asgjë, pa shitur produkte, vetëm duke marrë kontrata publike, para të shqiptarëve dhe duke i ndarë me përqindje (i kam shkruar edhe më parë këto).

Për sa të kem durim për tu marrë me ketë punë, dua të merrem siç dua vetë, ta bëj si të dua vetë, sipas horizontit tim, aq sa horizont kam. Nuk mund të bëj gjithmonë të njejtën gjë, sështë as zgjuarsi e as produktive. Kur sheh se nuk pati sukses, provo mënyrë tjetër.

Unë nuk pajtohem e nuk jam pajtuar me politikën e buzëqeshjeve dhe slifatave. Të gjithë ata që kanë ndejtur me mua e dinë ketë. Kam jetuar në Shqipëri prej se kam lindur dhe mendoj se ketë shoqëri e njoh disi, aq sa mund ta njohë një 31 vjeçar. Në Shqipëri nuk është mëkat të jesh mafioz politik. Kur u bë George Bush president, po flisnin si të merrej me Putinin. Dick Cheney i thotë: “KGB, KBG..”. Dmth me atë, përdor metodat që duhen përdorur kundër KGB-së. Në Shqipëri duhet “Sigurim, Sigurim..”. Rama është specialist mashtrimi, del i veshur me tirqe e nallane, bën si psikopat por, metodat e tij janë tipike të Sigurimit. Pra ke përballë segmentin më brutal të Sigurimit. Them më brutali sepse ke sa të duash nga e majta me të cilët mund të flitet.

Në këto kushte, ojëfëizimi i politikës, dështon, nuk jep rezultat. Madje edhe kush ta këshillon si të suksesshëm ojëfëizimin total, pa thelb sigurimi brenda organizatës, po të bën lojën e Sigurimit. Rama e ka ojf-në fasadë, jo thelb.

Duke menduar këto, them se shoqëria shqiptare ka nevojë për njerëz politikë klasikë aspak korrekt politikisht, pa turp e pa ndrojtje për ta sqaruar si qëndron e vërteta dhe çfarë duhet bërë. Le të dalim nga shpella e korrektesës dhe formalizmit të kotë, lodhës dhe aspak tërheqës. Le të dalim prej shinave të edukatës dhe predikimit si hoxhallarë apo murgj. Njeriu është bir i mëkatit. Njeriu ka inçestin, lakminë, zilinë, servilizmin, interesin, vetëmbrojtjen, kurvërimin moral, epshin gjakatar dhe dëshirën perverse për ta poshtëruar krijesën tjetër. Bota tokësore u takon atyre që dinë ta drejtojnë, ndërsa bota e përtejme, besimtarëve.

Indrit Vokshi, vetjak.