Po tani? Çfarë duhet bërë? – REDAKSIONALE

REDAKSIONALE

Ka ndodhur e papritura. Edi Rama ka marrë mandatin e tretë. Pa asnjë sukses qeverisës, pa rritje ekonomike, pa hapje të vendeve të punës, madje duke i fyer shqiptarët ditë për ditë e natë për natë.

Pse ndodhi? Ndodhi sepse, mesa duket, shoqëria shqiptare është shumë e dobët përballë shtetit, shumë pak e arsimuar politikisht për ta kuptuar sa i rrezikshëm është një mandat i tretë i Edi Ramës; shumë e lodhur, shumë e drobitur dhe e paaftë dhe e varfër për ta përballuar një shtet me 4 miliard euro buxhet vjetor, me median 99% të vetën për ta manipuluar shoqërinë, me kontroll e survejim për secilin shqiptar.

Shumë lehtë, mund të thuhet se Rama nuk kishte alternativë përballë, po, kjo është rruga më e shkurtër. Por si shpjegohet që “yjet e skenës” janë Edi Rama e Tom Doshi? Pse shqiptarët nuk votuan partitë e tjera të vogla, nëse nuk panë alternativë tek PD e LSI? Sepse votimi ishte i përcaktuar. Liderët lokalë të fshatrave dhe qyteteve, kanë nevojë për shtetin, për paratë që u ndan Edi Rama dhe për mbrojtjen policore e gjyqësore që ai u ofron, prandaj i udhëzojnë njerëzit të votojnë për të. Njerëzit votojnë, jo se duan por, sepse duhet.

Kjo ndodhi por çfarë duhet bërë tani?

Si fillim, duhet ta pranojmë se fitoi diktatura, fitoi shteti totalitar, mbi shoqërinë shqiptare dhe, në asnjë moment, nuk duhet të lejojmë asnjë analist shqiptar apo diplomat të huaj, të na thotë se Shqipëria është vend demokratik. Nuk mund ta thonë ketë, nuk duhen lejuar të na genjejnë më në ketë mënyrë.

Duhet kuptuar, se Shteti Totalitar, kjo monstër e krijuar nga ideologët e mendimit, ka fituar 45 vjet me radhë mbi shoqërinë tonë. Po, për 45 vjet me radhë na ka mundur, duke na izoluar, duke na bindur se Europa e Amerika janë armiqtë tanë, duke na bindur se jemi më të pasur se vendet e tjera, duke pushkatuar kundërshtarët e vet, duke u mbyllur gojën më të dobtëve të cilët jetonin për një copë bukë. Me 25 na mundi përsëri. Monstra e quajtur shtet totalitar, na i di veset, di veset e vegjëlisë tonë; e di si blihen, si shiten, me çfarë joshen, çfarë ju duket argëtuese e çfarë nuk u duket poshtëruese. I di, sepse ketë popull e ka pasur skllav për 45 vjet, e njeh mirë dhe ka pasur vetëbesimin se, mund ta skllavërojë përsëri. Dhe ja arriti. Na skllavëroi. Na skllavëroi duke përdorur komshinjt tanë, miqtë tanë, kushërinjt tanë; na skllavëroi me ndihmën e tyre, duke përdorur nevojat e tyre, veset e tyre, zilitë dhe lakmitë e tyre.

Tani duhet bërë kjo; shqiptarët mund të dalin në protesta, pa partitë. Të dalin vetë, t’i luten botës t’i shpëtojë, dëshpërimisht sepse bota sdo t’i ndihmojë. Se kur ka protesta me partitë, disa nuk dalin sepse thonë jo, është protestë partiake. Tani të dalin vetë, të protestojnë vetë. Tu kërkojnë bashkëqytetarëve dhe shteteve të tjera, ndihmë dhe t’i tregojnë Shtetit Totalitar, forcë. Forcë si shoqëri, pa partitë, pa menduar askush se kjo bëhet për interesat partiake. Të bashkohen me njëri-tjetrin më shumë, sepse prej sot janë pakicë e presekutuar. Duhet të mbrojmë veten.

E dyta, shoqëria jonë, ne, sduhet të kemi më turp, sduhet të kemi më korrektesë politike, sduhet të kemi më etikë dhe mirësjellje. Pse të kemi? Monstra, njeriu-shtet, nuk ka edukatë me ne, nuk ka dhembshuri për ne, na vjedh paratë, na shan, na tall dhe na e merr pushtetin me mekanizmat e tij. Ne sduhet të jemi më qingjat e mirë të cilët mundohen ta prekin në sedër ujkun duke i thënë “Ue, si na ha ti ne, ske turp që na ha”. Kjo rrugë nuk rezultoi e suksesshme. Sduhet kjo, ujku është krijuar për të ngrënë dhe qingji është krijuar për tu ngrënë. Secili prej nesh duhet të bëhet ujk, duhet të zgjojë kafshën brenda vetes dhe të mbrojë veten.

Nuk jemi të parët që biem viktima. Edhe populli i Egjyptit, ra 30 vjet viktimë me Mubarakun, populli i Libisë 30 vjet viktimë me Gedafin etj. Ne si shoqëri, shumica, jemi në nivelin e atyre popujve, po aq të dobët, po aq të pambrojtur, po aq të manipulueshëm, po aq të pagarantuar me ligje e me kushtetuta. Jemi në mëshirën e një njeriu dhe grupit të njerëzve rreth tij. Ndaj duhet të jemi revolucionarë, të paturp, të paetikë, duhet të mbrojmë veten. Nuk është e lehtë të mposhtet Shteti Totalitar, ska asgjë të lehtë në ketë botë. Mirëpo nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të egërsohemi, të mos pranojmë të jemi delet por të jemi ujq të vendit tonë dhe për veten tonë.

Bëhu ujk, bëhu luan, prej deles nuk frikësohet askush. Delja vetëm frikësohet.