Demokraci dhe pseudo – Astrit Lulushi

Shqipëria ka një sistem por me dy emra, Demokratik dhe Pseudo-Demokratik – i pari është emri zyrtar, tjetri përdoret kur analizohet rendi.
Po ashtu, shqiptarët krenohen me Flamurin me Shqiponjën dykrenare, për kuptimin e së cilës spekullohet, por flitet, jo-zyrtarisht, se përfaqëson ndarjen e kombit në dy e më shumë copa a shtete. Flamuri amerikan, p.sh., përmban 13 shirita që simbolizojnë numrin e shteteve themeluese, dhe 50 yje, për numrin e shteteve që janë sot në Federatë. Pra, flamuri është simboli i ecurisë së një kombi.
Po nga Marksi, a keni lexuar ndonjë gjë? Ai ishte i gabuar për shumë gjëra, përfshirë kritikat që i bënte traditës. Marksi thoshte se kultura shërben për të justifikuar pabarazinë shoqërore. Sipas tij, tradita supozonte se sjellja njerëzore përcaktohet nga besimet dhe vlerat, por zbeh rolin e luajtur nga gjendja materiale dhe ekonomike në formësimin e aftësive dhe aspiratave. Pra, në vend që të përpiqemi të reformojmë shoqërinë duke bindur njerëzit të përvetësojnë besime dhe vlera të ndryshme, ne, thoshte Marksi, duhet të marrim kontrollin e mjeteve të prodhimit dhe t’i përdorim ato për të eleminuar konkurrencën, pabarazinë, shfrytëzimin, varfërinë, dhe dominimin në përgjithësi.
Në botën pas-skamjes, sipas Marksit, njerëzit do të formonin besimet dhe vlerat e duhura për ta trajtuar njëri-tjetrin si të lirë dhe të barabartë. Debati moral dhe politik nuk do të ishte më i nevojshëm dhe shteti përfundimisht do të pushonte së ekzistuari.
Një problem me teorinë e Marksit është se besimet dhe vlerat nuk përcaktohen plotësisht nga të mirat materiale; një tjetër problem është se krizat ekonomike kapitaliste nuk janë të pashmangshme dhe shteti mund të zbatojë politika për t’i zvogëluar kur ato ndodhin; gjithashtu mungesat nuk mund të eliminohen, kështu që nuk do të jetë e mundur të çrrënjoset plotësisht konkurrenca dhe pabarazia. Për këtë arsye, do të ketë një nevojë të vazhdueshme për të debatuar besimet dhe vlerat tona, d.m.th. një nevojë e vazhdueshme për politikë, moral, ligj dhe rregull.
Marksi gjithashtu e dinte që liria kërkon jo vetëm kushte politike por edhe ekonomike. Nëse një industri nga e cila varet një komunitet shkatërrohet, siç ndodhi me shumë uzina e fabrika në Shqipërinë pas-komuniste, sepse shteti nuk ishte në gjendje t’i mbante siç kishte bërë regjimi i diktaturës për t’i treguar botës se ishte shtet i industrializuar, atëherë komuniteti i nënshtrohet vullnetit arbitrar. Liria e vërtetë është e papajtueshme me këtë lloj varësie.
Marksi gjithashtu e kuptonte tendencën e grupeve për të identifikuar interesat e tyre me mirëqenien e përgjithshme. Ndërsa klasa borgjeze u ngrit në Evropë, ai supozoi se borgjezia ishte e prirur ta imagjinonte veten shumë më altruiste se sa ishte në të vërtetë.
Fatkeqësisht, komunistët e frymëzuar nga Marksi bënë saktësisht të njëjtin gabim – vetëm me pasoja të pallogaritshme më shkatërruese. Të gjitha qenieve njerëzore, jo vetëm borgjezia, u pëlqen të besojnë se ajo që është e mirë për ta është e mirë për të gjithë. Të armatosur me instrumente shtrënguese të shtetit (sigurim, polici, burgje, kampe internimi) dhe të bindur se forcimi i fuqisë së tyre llogaritej gjithashtu si një kontribut në krijimin e utopisë komuniste, komunistët vranë dhjetëra miliona njerëz gjatë shekullit të 20-të.
Në “Essay on Liberation” (1969), filozofi gjermano-amerikan Herbert Marcuse ilustron konfuzionin e interesit personal me atë të shoqërisë në tërësi. Për Marcuse, qytetarët e zakonshëm janë të lidhur me mënyrën e tyre të jetës për shkak të “indoktrinimit”, dhe kjo e bën të pamundur arritjen e ndryshimeve të vërteta në mënyrë demokratike:
Nëse demokracia nënkupton vetëqeverisjen e njerëzve të lirë, atëherë realizimi i demokracisë do të presupozonte heqjen e pseudodemokracisë ekzistuese, Opozita e ndodhur përballë rezistencës së maxhorancës do të bëhej jashtë-parlamentare, pra nuk mund të mbetej e ligjshme. Sipas Marcuse, sapo Opozita të forcohej dhe të impononte vullnetin e saj mbi pushtetin, njerëzit do ta kuptonin se ajo kishte të drejtë. Dhe kur të këputej zinxhiri i qeverive të së kaluarës, shumica do të ishte e çliruar nga kontrolli, dhe e lirë të gjykonte qeverinë e re në lidhje me interesin e ri të përbashkët.
Në çdo rast, mendimi themelor është i qartë: interesi i elitës është identik me interesin e shoqërisë, kështu që çdo gjë që ata bëjnë për të marrë ose ushtruar pushtet është e justifikuar.
Marcuse ishte kritik ndaj kapitalizmit, teknologjisë moderne, komunizmit të llojit sovjetik, dhe kulturës së argëtimit, duke argumentuar se ato përfaqësojnë forma të reja të kontrollit shoqëror.