Shqipëria në Programin Erasmus+

Nga Lindita Komani

Mbi 10 000 studentë dhe pedagogë nga Shqipëria dhe Kosova kanë qenë bursantë të programit Erasmus+ në periudhën 2015-2020. Për të rinjtë nga Shqipëria të cilët nuk e njohin sesi ishte jeta e izoluar para liberalizimit te vizave, sesa e vështirë ishte të hyje dhe të dilje fitues në ciklin e vizave edhe sikur të ishe pranuar në një universitet jashtë, kjo mundësi ndoshta nuk ka pasur efektin emocional sikurse mund ta ketë pasur për të rinjtë në Kosovë që janë shumë më të izoluar dhe me barrierën para fytyrës çdo ditë. Megjithatë, për të rinjtë në të dy anët e kufirit është e sigurtë që bursat Erasmus kanë dhënë mundësinë për eksplorimin e mjedisit universitar në vende europiane, fitimin e njohurive dhe nxënien e një standardi mësimdhënieje që është e nevojshme ta kemi të pranishëm edhe në universitetet tona.

Në vëmendjen e përgjithshme

Programi Erasmus+ në ndryshim nga programe të tjerë financimi nga Bashkimi Europian ka arritur të jetë më shumë i prekshëm për vëmendjen e përgjithshme. Kushdo e ka një mik apo mikeshë, student apo pedagog që ka fituar një bursë për të lëvizur për një periudhë afatshkurtër në një universitet tjetër, për një semestër studimi apo për kërkim shkencor. Projekte të tëra janë financuar për zhvillim kurrikulash në universitete, të cilat nuk dihet ndoshta se cilët janë, por të cilët në çdo rast i kanë mbajtur universitetet në lëvizje dhe të lidhur me njëri-tjetrin.

Kjo lidhje e universiteteve shqiptare me ato të huaja është edhe më e dukshme kur mbahet parasysh që në një kohë kur sidomos bizneset por edhe OJQ-të në vitet e tranzicionit e kanë pasur dhe e kanë më të veshtirë që të gjejnë partnerë jashtë me të cilët të bëjnë biznes e projekte, universitetet kanë hasur më pak vështirësi në këtë drejtim që në vitet ‘90.

Përparësia e programit Erasmus+ në krahasim me programe të tjera që kemi shqyrtuar në shkrime të mëhershme, si IPA, Horizon, Creative Europe, është e dukshme edhe sa i përket organizimit, transparencës, arritjes për publikun e gjerë. Në ndryshim nga programet e tjera, për të cilët informacioni mbi temën e fondeve te BE-së sikurse kemi treguar është më i rezervuar dhe jo aq lehtësisht i gjetshëm, për Erasmus+ edhe në Shqipëri ka më shumë informacion në internet lidhur me emrat e projekteve, sasinë e fondeve të përfituara, emrat e njerëzve të përfshirë. Ka një zyrë për informimin zyrtar mbi Erasmus+ (erasmusplus.al) dhe një faqe Facebook të kësaj zyre e cila ka mbi 8500 ndjekës dhe përditësime të ndjekura më shumë.

Vetë Komisioni Europian ka përgatitur broshura orientuese për secilin vend që ka përfituar fonde nga Erasmus+ duke i paraqitur ato madje në krahasim edhe me vende të tjera të rajonit, broshura të cilat janë shfrytëzuar për të nxjerrë shifra dhe për të bërë krahasime mes vendeve të rajonit tonë. Por ndryshe nga rastet e fondeve të tjera, interesante është që vetë portali i Komisionit Europian i cili normalisht duhet të paraqesë listat e përfituesve të gjithë fondeve të Erasmus+ nuk paraqet te tilla. (Shih https://eacea.ec.europa.eu/erasmus-plus/selection-results_en
.) Lidhjet e internetit janë të këputura. Një përditësim i madh është ndoshta duke ndodhur ose gabimisht në një përditësim të madh të gjitha këto të dhëna janë fshirë. Kjo e bën të pamundur një hulumtim më të thelluar, ndaj vëmendja në këtë shkrim do të jetë ndaj financimit të mobilitetit akademik dhe projektet e bashkëpunimit që përfshijnë partnerë nga “vendet e programit” dhe “vendet partnere” nëpër botë, për të cilat të dhënat mund të gjenden.

Erasmus+ në shifra

Shifrat e arritjeve për Shqipërinë në programin Erasmus+ shfaqen më pozitive se ato në kuadrin e fondeve të tjera, si psh Horizon apo Creative Europe. Trajtimit të tyre do t’u kushtohemi në vijim.

Mobiliteti ndërkombëtar i krediteve

Mobiliteti ndërkombëtar i krediteve është pjesa e programit e cila mundëson edhe numrin më të madh të përfituesve direktë nga programi Erasmus+ dhe që i jep atij edhe imazhin kryesor. Për mbi 30 vjet, studentë dhe pedagogë nga universitete europiane kanë mundur të lëvizin midis tyre, ndërkohë që qysh prej 2015 mobiliteti afatshkurtër është bërë i mundur edhe nga vende të tjera të botës drejt vendeve të programit. Për një periudhë 3-12 muaj, studentë, kërkues dhe pedagogë mund të studiojnë në një universitet të huaj dhe të përfitojnë kredite të cilat njihen dhe trasferohen në vendin e origjinës si pjesë e shkollimit. Prej vitit 2018 financohen edhe pjesëmarrje në trajnime. Gjithashtu pedagogët përfitojnë grante mobiliteti prej 5-60 ditë.

Në periudhën 2015-2020, 1131 projektpropozime që përfshijnë Shqipërinë janë paraqitur për këtë linjë të programit dhe prej tyre jane përzgjedhur 937 si fituese. 8005 studentë dhe pedagogë kanë mundur të kryejnë qëndrime afatshkurtra në universitete në Europë, ndërkohë që në Shqipëri kanë ardhur 4890 studentë dhe pedagogë nga vende të tjera. Edhe Kosova ka rezultate të mira duke parasysh që ka një numër më të vogël universitetesh. 3880 studentë dhe pedagogë nga Kosova kanë pasur qëndrime afatshkurtra në vendet europiane dhe 2074 studentë dhe pedagogë nga vende të tjera europiane kanë shkuar në Kosovë.

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, vërejmë që Bosnja & Hercegovina ka shifra pak më të larta se të Shqipërisë, përkatësisht 8168 studentë dhe pedagogë nga Bosnja & Hercegovina kanë shkuar në universitete europiane dhe 5140 studentë dhe pedagogë nga vende të tjera kanë shkuar në Bosnjë. Ndërkohë Serbia ka shifra më të ulta, përkatësisht 7034 dhe 4430.

Studimet e përbashkëta master Erasmus Mundus

Një linjë tjetër me shumë interes e programit është ajo e studimeve të përbashkëta master Erasmus Mundus që japin bursa të financuara nga Bashkimi Europian per studentë master nga gjithë bota që mbulojnë pagesën për studimin, udhëtimin dhe shpenzimet e jetesës. Programet e këtilla zgjasin një-dy vjet dhe gjatë tyre studentët studiojnë në të paktën dy vende europiane dhe fitojnë një diplomë që mund të jetë dyfishe ose shumëfishe.

Në kuadër të kësaj linje programi në periudhën 2015-2020 janë shpërndarë 11 816 bursa për studentë nga e gjithë bota. Nga këta, 80 studentë kanë qenë nga Shqipëria, ndërkohë që Serbia është e përfaqësuar me 220 studentë. Duke e vënë në proporcion me numrin e popullsisë në vend, vërejmë që numri i përfituesve të bursave në Serbi ka qenë më i lartë se në Shqipëri, që është një tregues që studentët serbë mund të jenë më konkurrues se ata nga Shqipëria. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipëria paraqet rezultate më të mira.

Shqipëria qëndron pas vendeve të tjera veçanërisht sa i përket programeve të përbashkëta master ku të jenë të përfshira universitetet shqiptare. Ka vetëm një program të tillë në të cilin janë 3 partnerë të asociuar nga Shqipëria që janë të përfshirë, domethënë që nuk jepet edhe diplomë shqiptare nga programi në fjalë. Kosova është e përfshirë në dy programe të tilla, Bosnja në gjashtë të tilla, Mali i Zi në katër dhe Serbia në nëntë të tilla. Ndërkohë ka pasur 5 projektpropozime që përfshinin Shqipërinë përballë 17 të tillëve në Bosnjë apo 36 të tillëve në Serbi.

Pyetja këtu është e lidhur direkt me angazhimin e universiteteve tona në këtë drejtim. A ka qenë ky angazhim i mjaftueshëm? Pse ka kaq pak atraktivitet për Shqipërinë apo më mirë me se lidhet kjo mangësi? Duke pasur parasysh numrin e lartë të universiteteve shtetërore dhe private në vend, kjo është një statistikë domethënëse negative, por që të paktën lë të mendohet që mund të bëhet vetëm më mirë sikur të ketë më shumë përpjekje.

Ngritja e kapaciteteve në arsimin e lartë

Një linjë tjetër me interes brenda programit është ajo që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve në arsimin e lartë. Edhe në këtë linjë Shqipëria qëndron pas Serbisë dhe Bosnjës. Ndërkohë që ka pasur 379 projektpropozime të dërguara ku përfshihet Serbia dhe janë përzgjedhur si fitues 53 të tillë, nga të cilët 31 projekte koordinohen nga universitete serbe, universitetet nga Shqipëria kanë qenë të përfshira në 278 projektpropozime nga të cilat janë përzgjedhur si fitues 45 të tillë, nga të cilët 12 projekte koordinohen nga universitete shqiptare. Treguesi kryesor që shfaqet në këto statistika është aftësia e koordinimit të universiteteve shqiptare që edhe po ta marrësh në proporcion me popullsinë del që në Shqipëri është më e ulët se në Serbi. Pra edhe këtu ka nevojë për përmirësime.

Jean Monnet

Linja e fundit që do të përmendet në mënyrë specifike nga programi është Jean Monnet e cila synon të zhvillojë studimet e Bashkimit Europian në gjithë botën, duke mbështetur module, katedra, qendra ekselence për të promovuar ekselencën dhe kërkimin shkencor në procesin e integrimit europian në nivelet e arsimit të lartë. Gjithashtu në vëmendje është edhe mbështetja e debatit për politikat përmes rrjeteve Jean Monnet. Sipas statistikave të Komisionit Europian, Shqipëria është e përfshirë në 16 projekte të linjës Jean Monnet, ndërkohë që Serbia është e përfshirë në 20 të tilla, që do të thotë që parë në proporcion me popullsinë Shqipëria është e pozicionuar më mirë se Serbia.

Sipas statistikave të publikuara nga portal erasmusplus.al, duke iu referuar të dhënave për periudhën 2015-2019, ku paraqiten 9 projekte Jean Monnet ku janë të përfshirë partnerë nga Shqipëria, bie në sy që pesë prej tyre zhvillohen nga Universiteti i Nju Jorkut, që është një tregues i mirë që ky universitet ka krijuar një thelb dhe kompetencë me vlerë për studimet europiane dhe ka fituar edhe njohje si i tillë nga Komisioni Europian.

Buxheti 2021-2027

Buxheti i miratuar për programin e ri Erasmus+ 2021-2027 është 26 miliardë euro. Në fillim të këtij 7-vjeçari të ri, vlen të theksohet që do të ishte një arritje e madhe sikur prania shqiptare në projektet e kësaj periudhe të ishte më e lartë se ajo që dëshmohet për periudhën 2014-2020. Për këtë do të ishte i nevojshëm një angazhim më i madh i aktorëve të përfshirë: zyra Erasmus, ministria, mediat, vetë të interesuarit për këtë program.

Vlen të theksohet që ndonëse studentët dhe pedagogët, universitetet dhe OJQ-të që marrin pjesë në projekte, përpiqen vetë për të arritur tek informacioni i kërkuar dhe zyra e Erasmus+ në Shqipëri vepron rregullisht në këtë drejtim, ajo që mund të thuhet edhe për këtë rast është që ka një mungesë debati dhe promovimi në media lidhur pikërisht me Erasmus+. Ka vetëm një emision televiziv që i kushtohet tërësisht arsimit, “Auditor – Arsimi” në TVSH, ndërkohë që me dhjetëra kanale private, edhe nën siglën e një televizioni kombëtar, zhvillojnë vetëm emisione sporadike lidhur me arsimin, si atëherë kur është diskutuar për ligjin e arsimit të lartë apo me rastin e protestave të studentëve, kur ndërrohen ministrat apo kur është fushatë elektorale.

Për çështje specifike si Erasmus+ që janë të lidhura me mundësi të rëndësishme që një institucion i huaj si Bashkimi Europian ofron edhe për shqiptarët, vëmendja meriton të jetë më e lartë pikërisht nga mediat, në mënyrë që më shumë të rinj e pedagogë të nxiten të përfshihen. Sidomos me interes do të ishte që të kishte me shumë pjesëmarrje në programet master Erasmus Mundus, studentët me bursa dhe universitetet si pjesë e programeve master.

Mungesa që konstatohet për mediat, ndihet edhe në veprimtarinë që do të ishte e nevojshme që të bëhej nga Ministria e Arsimit në këtë fushë. Mjafton të kërkohet në faqen e ministrisë për të parë që me termin “Erasmus” nga viti 2014 deri në 2021 dalin vetëm 9 rezultate si lajme. Dhe me një pyetje lidhur me këtë veprimtari të munguar të ministrisv vlen edhe të mbyllet ky shkrim: Nëse nuk do të ishte për rolin e zyres Erasmus+, dikur zyra e Tempusit, e cila mbështetet financiarisht nga Agjencia Ekzekutive për Arsimin, Kulturën dhe Mediat Audiovizuale (EACEA) e Bashkimit Europian, cila do të ishte prania e Shqipërisë në Erasmus+?

more recommended stories

loading...