Lëvizim dy orë më shumë për 14 ditë, baret dhe restorantet marrin frymë pas shkurtimit të orës policore


– Duke filluar nga kjo e hënë, Shqipëria do të ketë qarkullim, lëvizje në bare e restorante, edhe dy orë më shumë. Komiteti Teknik ka vendosur që të shkurtojë orën policore me dy orë, duke patur parasysh rënien e numrit të të infektuarve me Covid-19 dhe të fataliteteve.

Kështu, duke filluar që mbrëmjen e sotme dhe në dy javë në vazhdim, do të keni mundësi të qarkulloni lirshëm deri në orën 22:00, ndryshe nga gjashtë javët e mëparshme që ora 20:00 duhet t;’ju gjente të futur në shtëpi.

Edhe bizneset, baret, restorantet dhe jo vetëm, tashmë marrin frymë edhe dy orë më shumë, duke lehtësuar sado pak dëmet apo ngërçin që mund të ketë sjellë kufizimi i orareve për shkak të koronavirusit. Gjithashtu duke marrë në konsideratë përmirësimin e ndjeshëm të situatës së epidemisë në Mbretërinë e Bashkuar, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar rihapjen e fluturimeve me Britaninë e Madhe.

Vetë Ministrja Ogerta Manastirliu argumentoi se fillimi i muajit të Ramazanit ishte një tjetër arsye që çoi në lehtësimin e masave anti-Covid por këshilloi qytetarët që të vijonin të zbatonin masat e tjera si distancimi social dhe mbajtja e maskave.

Në 24 orët e fundit u shënuan 7 të vdekur dhe 238 të infektuar me Covid-19, ndërsa që nga fillimi i pandemisë kemi 2 mijë e 317 viktima. Raste aktive në vend janë 28 mijë e 353 persona. Sot Shqipëria futet në ditën e 15-të të fillimit të procesit të vaksinimit masiv dhe numri i të vaksinuar ka shkuar afro 260 mijë.