Ja cilat rrugë do jenë me pagesë dhe tarifat për çdo lloj automjeti

Qeveria Rama ka përfunduar hartimin e strategjisë për tarifimin e rrugëve ku janë të përcaktuara tarifat që do të paguhen nga automjetet. Sipas draftit të hartuar nga Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH), me kërkesë të Qeverisë, janë rekomanduar për t’u taksuar 9 kategori automjetesh.

Në draftin e strategjisë, në rast miratimi, rekomandohet që norma bazë e taksës së kalimit në rrugë për veturat të variojë nga 0,5 cent deri në 3,5 cent për kilometër, kurse për motoçikletat 0,5 cent për kilometër. Në tarifim janë përfshirë edhe furgonët, norma e tarifimit për ta është përcaktuar 1,5 cent për kilometër, kurse për autobusët 2 deri në 3 cent për kilometër dhe për kamionët 4 cent për kilometë. Në rast se tarifat e rekomanduara miratohen nga Qeveria, për një rrugë ku kalimi do të jetë me pagesë, për 100 km një veturë do të paguajë 3,5 euro.

Për Shqipërinë, në strategjinë që ka hartuar BERZH­i, rekomandohet që tarifat të vendosen me norma të barabarta për kilometër për të gjitha rrugët brenda rrjetit, pavarësisht kostove të ndërtimit apo trafikut të automjeteve.

Rrugët që sugjerohet të tarifohen menjëherë janë:

Tiranë-­Durrës, Tiranë­ -Elbasan dhe Rruga e Arbrit, që ende s’ka përfunduar. Hartuesit e draftit paraqesin dy opsione për mënyrën e implementimit të sistemit të tarifimit.

Sistem i mbyllur, ku sheshet e pagesave të jenë në çdo hyrje dhe dalje të autostradës, çka siguron që të gjithë shoferët të paguajnë sipas distancës të udhëtimit. Opsioni i dytë është sistemi i hapur, që ofron sheshe tarifore në intervale përgjatë shtrirjes kryesore të autostradës. Në strategjinë për vendin tonë rekomandohet skema e hapur për pagimin e tarifave. “Një skemë e tillë do të minimizojë numrin e nevojshëm të pikave të kontrollit dhe zbulimit të automjeteve dhe do të kontribuojë në uljen e kostove të ndërtimit dhe operimit”, thuhet në draftin e tarifimit të rrugëve.