Batuta – Astrit Lulushi

Çfarë s’po shihet në fushatë. Shqipëria ka dalë në shitje, lirë fare, e ndarë në copa. Vetëm kryetarë shihen, që premtojnë gjëra që nuk i kanë, ose ato që s’kanë mundur t’i realizojnë gjatë viteve në pushtet. Njëkohësisht s’pranojnë asnjë gabim dhe thërrasin se zgjedhjen e kanë të sigurt; të tjerët janë thjesh numra, qofshin edhe kandidatët për në Foltore, ku vetëm një parti flet e dëgjohet; Kuvend nuk mund të quhet. Populli përdoret për konsum a ‘mish për top’, dhe vendi konsiderohet si pronë për ta ndarë me cilin ‘numër’ të duan. Kreu i qeverisë mendon se është Perandori: “Me këtë opozitë, qendroj në pushtet 1500 vjet”, thotë. Pak më tej nga Kryeministria, në të njëjtin Bulevard, Kreu i shtetit bërtet se është opozitë, edhe pse çdo ditë paraqitet për punë në pallatin e Presidentit. Partia e tij LSI duhej të quhej Lëvizja Socialiste Informale, si e gjindshme në kohë të vështira. Sa të mbrapshtë janë këta njerëz dhe nuk e kuptojnë se janë; si hordhi, sytë iu janë veshur; ata që u shkojnë pas janë të një lloji, në mos më keq bëhen, kur marrin një post. ‘Psikologji e kundërt’ quhet taktika që përdorin për të sulmuar kundërshtarin; manipulojnë për t’i shtyrë njerëzit të bëjnë të kundërtën; inkurajojnë kundërshtarin të mos arrijë synimin. Dhe e përdorin këtë teknikë qëllimisht, djallëzisht, duke e shtrembëruar – ndryshe nga një prind që mund të përdorë psikologji të kundërt tek fëmija i tij, duke i thënë – “Ti ndoshta nuk je në gjendje ta mbarosh pjatën” – në mënyrë që fëmija ta mbarojë. Ndërsa mund të shihet si mënyrë për të manaxhuar sjelljen e një personi tjetër, kjo psikologji e kundërt përdoret si formë manipulimi; dhe gjuha e saj është “batuta” – fjalë nga spanjishtja për “shkop dirigjenti” – që jep shenjën se kur duhet të fillojë dhe kur duhet të mbarojë e qeshura.

more recommended stories

loading...