60 vite më parë ndërroi jetë Mbreti Zog. Ja si e kujton Eqerem Bej Vlora veprimtarinë e tij

Sot, 60 vite më parë mbylli sytë Mbreti Zog. Ngado të rrotullosh qendrimet, ai mbetet personaliteti më i rëndësishëm shqiptar i shekullit ku themeluam shtetin. Eqrem Vlora, një kundërshtar i tij, jep këtë gjykim kuptimplotë ndaj Zogut.

“…E ashtuquajtura “inteligjencie” e Shqipërisë e ka quajtur dhe e quan Ahmet Zogun injorant, i vesh atij paaftësinë për të hedhur qoftë edhe një mendim në letër pa gabime gramatikore, e qorton atë rreptë për mungesën e ndjenjës së komikes, e mban për intrigant, për njeri të dhënë pas fitimit e shumë e shumë veti të tjera edhe më të pakëndshme.

Për mua të gjitha këto qortime janë shfaqje të urrejtjes. Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme; edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe të zgjidhte probleme shumë të vështira dhe krejt të huaja për të ai rrallë gabonte, sikundër edhe qe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe.

Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi të gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie: Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithmonë kontrollit të një mendjeje të ftohtë e praktike, udhëhiqeshin gjithmonë dhe vetëm prej interesave të caktuara. Arsyetimet emocionale nuk kanë qenë asnjëherë pengesë për të.

Kur ai ishte ende i ri, më mirë nga të gjithë atë e ka vlerësuar Esat pasha në prill të vitit 1914. Ahmet Zogu sapo ishte larguar nga shtëpia e Esatit, pas një bisede, kur Esati më tha: “A e vure re mirë këtë djalosh? Do të vijë një ditë kur ai do të shkojë shumë larg dhe do të na mënjanojë të gjithëve, po të jetë se ne nuk ia shkurtojmë këmbët në kohën e duhur!” Esat pasha nuk i shfrytëzoi shanset e veta.

Përse të çuditemi atëherë që ky djalosh e lëvizi rrotën, ku theu këmbën jo vetëm Esat pasha, por edhe shumë prej nesh, edhe kjo, duke mos qenë aspak ndonjë tiran gjakatar. Ahmet Zogun mund ta duash apo ta urresh, por nëse do që të jesh i paanshëm, duhet t’i njohësh atij një meritë: ai qe një “njeri i madh”, jo vetëm për përmasat shqiptare, por edhe në këndvështrimin ballkanik. Mund të gjesh plot gabime, lajthitje dhe mangësi në mendimin dhe veprimin e tij, por ai mbetet megjithatë një personalitet i rëndësishëm, madje më duhet të them, personaliteti më i rëndësishëm në historinë shqiptare”.