Mijëra euro fitonte Balluku në krye të “Albcontrol”! Si i la ato për një pagë shumë më të ulët në ministri

Një ditë më parë, kur kontrollorët e trafikut ajror në Rinas ndaluan punën në shenjë proteste për uljen e pagave, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në një konferencë për shtyp nga Aeroporti “Nënë Tereza” u shfaq kërcënuese dhe shantazhuese duke e quajtur këtë veprim një grusht shteti që cënon sigurinë kombëtare, ndërsa paralajmëroi ata se do të humbasin vendin e punës.

Më tej, ministrja foli edhe për pagat e kontrollorëve duke u shprehur se janë shumë të larta për Shqipërinë.

“A duhet marrë peng vendi për ta pasur rrogën 4400 dollarë”, tha Balluku, e cila shtoi se paga e kontrollorëve është ulur në 2490 dollarë, për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 që uli edhe numrin e fluturimeve.

Por ministrja harroi faktin se pagat e punonjësve të “Albcontrol” miratohen nga Bordi, pjesë e të cilës është edhe vetë Balluku.

Por, ministrja Balluku, prej vitesh, ka qenë përfituese e drejtëpërdrejtë e pagave marramendëse nga “Albcontrol”, kur e drejtoi këtë institucion prej vitit 2013 deri në vitin 2018.

Belinda Balluku, siç duket, harroi se në vitet 2013-2018, para se të merrte postin ministror, ka qenë pikërisht drejtuese e “AlbControl” ku ka patur një page disa here më të lartë se ajo që merr aktualisht si pjesë e qeverisë.

Referuar deklaratave të pasurisë, dhënë dhe firmosur nga Belinda Balluku, si drejtuese e “Albcontrol” është paguar nga 60 milionë lekë të vjetra deri në 77 milionë lekë të vjetra në vit, me një pagë mesatare mbi 6 milionë lekë të vjetra në muaj.

Një pagë që thyen çdo hierarki pagimi, që nis me atë të Presidentit të Republikës, kjo për faktin se “Albcontrol” është entitet i pavarur dhe jo ent shtetëror, siç pretendoi edhe sot avokati i kontrollorëve.

Por një pyetje lind natyrshëm: Si ka mundësi që Balluku la një pozicion me pagë mesatare 70 milionë lekë në vit, për tu bërë ministre e Energjetikës dhe Infrastrukturës ku merr rreth 5 herë më pak?!….