Merrnin deri në 300 euro për person, si u godit nga Policia e Elbasanit ‘banda’

Policia e Elbasanit ka goditur një grup që u jepte ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Në operacionin e koduar “Rrezja 1”, u vunë në pranga katër shtetas, ndërsa u shpallën në kërkim 2 të tjerë.
” Si rezultat i këtij operacioni u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasit:

Xh. D., 29 vjeç, R. D., 23 vjeç, J. M., 22 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, të katërt banues në Durrës.

Si dhe u shpallën në kërkim policor shtetasit A. S., 40 vjeç dhe S. K., 32 vjeç, të dy banues në Durrës”, tha policia.

Sipas bluve, këta persona, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetasit G. S. dhe A. D. (të cilët janë arrestuar më datë 28.09.2020), kryenin në mënyrë të organizuar veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve me origjinë nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë transportimin e tyre nga Korça drejt Tiranës, kundrejt fitimit 250-300 euro për person.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme, kanë transportuar një numër të konsiderueshëm personash, të cilët janë bllokuar nga shërbimet policore, pa mundur të kalojnë kufirin.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 6 automjete dhe 11 aparate celular.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.