EMA: Ka një lidhje mes vaksinimit me AstraZeneca dhe rasteve të mpiksjes së gjakut

Ka një lidhje të mundshme mes vaksinës AstraZeneca dhe rasteve të mpiksjes së gjakut. Agjencia Evropiane e Barnave njoftoi sot se e ka gjetur një lidhje të tillë.

Shqetësimet për sigurinë e vaksinës u ngritën dy javë më parë në dhjetëra vende të Europës, të cilat ndërprenë vaksinimin me të, për ta rinisur sërish disa ditë më pas.

Siç raporton Reuters, ministrave të Shëndetësisë të BE u është thënë që vendimi i EMA për sigurinë e vaksinës do të ketë implikime të menjëhershme në planet e vaksinimit dhe të kërkojë një përgjigje të koordinuar.

Njoftimi EMA është një pengesë e re për vaksinën, e cila është larg më e lira dhe me vëllimin më të madh të furnizimit deri tani. Pas përdorimit në masë në Britani dhe Evropën kontinentale, ajo është bërë shtylla kryesore e programeve të vaksinimit në pjesën më të madhe të botës në zhvillim.

Ekspertët thonë se, edhe nëse vërtetohet një lidhje shkak-pasojë midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, rreziqet për popullatën e gjerë janë shumë të vogla krahasuar me rreziqet nga infeksioni i mundshëm COVID-19, i cili gjithashtu mund të shkaktojë mpiksje të ngjashme, ose nga shumë ilaçe të tjera të përdorura gjerësisht siç është pilula kontraceptive.

Si EMA, ashtu edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë thënë se përfitimet i tejkalojnë rreziqet e vaksinës.

Ndërsa vetë AstraZeneca ka thënë se studimet e saj nuk kanë gjetur rrezik më të lartë të mpiksjes së gjakut te njerëzit e vaksinuar sesa në popullatën e përgjithshme.