Urdhëri Zyrtar i Rezistencës ndaj Pushtimit Fashist dhe Heroi i 7 Prillit 1939, Kolonel Sami Koka


Nga Ilirian Agolli

Publikohet për herë të parë:
Urdhëri i Komandantit të Përgjithshëm i Rojes Mbretërore të Kufirit, tenent kolonel Sami Koka, për të mbrojtur bregdetin gjendet në AQSH. Urdhëri i operacionit për të mbrojtur bregun shqiptar, në rast të përpjekjes italiane për zbarkim, iu dërgua më 5 prill 1939 Komandës së Batalionit 1 të Rojes Mbretërore të Kufirit në Durrës, Komandës së Batalionit 2 në Shkodër, Komandës së Batalionit 6 në Gjirokastër dhe Komandës së Kompanisë të Rojes Mbretërore të Kufirit në Zogaj. Ai kërkoi një vëzhgim të kujdesshëm të detit, për të ndarë anijet luftarake nga ato transportuese, parashikim me saktësi mbi pikat e zbarkimit dhe pritja me zjarr të dendur mbi barkat e para dhe mbi ushtarët, që prekën tokën në grupet e para. “Goditni pa ndërprerë, që të frenoni marrjen e terrenit. Kur armiku zbarkon dhe merr terren, mbani kontakt pamor dhe me zjarr kundër tij. Në afërsi 700 – 800 metra nisni zjarrin me mitraloz dhe armë deri në ushtarin e fundit. Kjo është një Detyrë e Shenjtë” – urdhëroi koloneli Koka. Ai theksoi se ushtarët nuk mund të tërhiqen pa urdhërin e komandantit, por duhet të rezistojnë në post për Atdhe dhe Mbret, ndërsa komandantët e kompanive dhe batalioneve nuk duhet të komandojnë nga distanca të mëdha, por duhet të veprojnë pranë trupave. “Jam shumë i sigurtë që trupat e Rojes Mbretërore të Kufirit janë gati të sakrifikojnë në këtë detyrë delicate, duke dëshmuar dinjitet, besim dhe nder, që atyre iu dha mbreti dhe atdheu” – shkroi komandanti Koka. Urdhëri i tij u zbatua në maksimumin e rrethanave dhe jozyrtarisht fashistët mblodhën në anijet e tyre shumë të vrarë.
Koloneli Sami Koka dëshmoi në Gjyqin Special të 1945 se qysh dy ditë para pushtimit i kërkoi urdhërin Komandantit të Përgjithshëm, Xhemal Aranitasi, i cili e kishte humbur fare qetësinë. “E detyrova të firmoste urdhërin e mbrojtjes përballë një armiku shumë të madh dhe të pajisur, dhe në datën 6 qëndrova në komandë deri në 10 të mbrëmjes për të organizuar rezistencën përballë pushtimit” – deklaroi Koka.
Koloneli Koka mbrojti kufirin e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë më 7 prill 1939 dhe në Gjyqin Special të 13 prillit 1945 u dënua me 30 vjet burg.