Bashkia e Tiranës do të aplikojë taksën progresive për pronën, rriten detyrimet për familjet dhe bizneset

Kush ka një banesë më të madhe, do të paguajnë më shumë taksë prone. Duke paralajmëruar një rishikim të kësaj takse për banorët e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka propozuar taksim progresiv për pronën, njëlloj si tatimi mbi të ardhurat personale nga puna.
“Për familjarët të mbajmë tarifën bazë, por për ata që kanë 500 -1000 metra katror shtëpi, dhe që Bashkia duhet të bëj sforco për t’i çuar shërbimin te vila, patjetër që duhet të ketë një pagim progresiv, dhe është e ndershme ta themi para 30 qershorit”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Pagesa për taksën e re të pronës ka filluar të mblidhet që nga 2019, ku qytetarët e paguajnë atë në faturën e ujit. Aktualisht, për banesat ato paguajnë 0.05% të vlerës , ndërsa bizneset 0.2% të ambientit ku ushtrojnë aktivitetin.