Biznesmeni Neranxi: Milionat e Becchettit, duhet t’i paguajë Rama, jo shqiptarët!

Nga Nikollaq Neranxi

Një lajm i keq nga përtej kufirit, i ka prishur Ramës skenarin e fushatës të ndërtuar me aq kujdes. Shqipëria ka humbur në Gjykatën e Arbitrazhit të Bankës Botërore, plot 110 milion €, e paditur nga ish pronari i Agon Channel, Francesco Becchetti!
Menjëherë pas lajmit, dëgjova Ramën i cili pasi telendisi kundërshtarët e tij politikë, tha se asgjë nuk ka mbaruar dhe beteja vazhdon!

Duke parë një shifër kaq astronomike për Shqipërinë tonë të varfër, për një moment, edhe unë shpresova se beteja vazhdon, por kur pyeta profesionistët e kësaj pune, ata më konfirmuan se Kryeministri gënjen!

Vendimi i gjykatës së arbitrazhit, është ekzekutiv dhe referuar konventës së ICSID, tashmë faza e mbetur, është vetëm pagesa e detyrimit për shumën 110 mln €.

Kjo do të thotë, që vetëm për një tekë të Ramës, i cili me arrogancën që i jep kolltuku, nuk pëlqente një media opozitare, faturën duhet ta paguajmë të gjithë ne!!!

Në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, është e shprehur qartë se mbyllja e televizionit, ka qenë e motivuar politikisht dhe është zgjedhur me vetëdije që të shkelet ligji për qëllime politike. Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia materiale dhe penale, duhet të bjerë mbi fajtorin me emrin Edi Rama.

Askush mos të bëjë llogari, qoftë edhe hipotetike, se sa para i bie çdo shqiptari, të paguajë për Becchetin. I vetmi që duhet të paguajë, është kryeministri Rama.

Prandaj menjëherë, shqiptarët duhet të hedhin në gjyq Ramën dhe t’ja marrin një më një paratë. Edhe nëse nuk i dalin paratë e veta, t’ja kërkojë atyre 10 oligarkëve që ka pasuruar gjatë qeverisjes së tij.
Ne nuk mund të paguajmë më për këtë racë perverse politikanësh!