“Po zaptohen prona private me alibinë e rindërtimit”- Banorët e Kombinatit në protestë. Apel Yuri Kim dhe Ilir Metën

Banorët e Kombinatit prej disa ditësh po ndeshen me padrejtësinë dhe diskriminimin që bën Qeveria dhe Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit ka marrë iniciativën për të prishur ndërtesat e banuara nga këta banorë, me qëllimin e vetëm për të ndërtuar pallate.

Në shkresën zyrtare e cila është botuar edhe në Fletoren Zyrtare të datës 26.1.2021, theksohet se këto ndërtesa, që shërbejnë edhe si ndërtesa industriale, do të prishen për interesat publike.

Por fakt është se interesei kryesor ka të bëjë me ndërtimin e pallateve shumëkatëshe. Tashmë nuk ka më zona të lira brenda Unazës së Tiranës, si rrjedhojë pallatet dhe betonizimi po tentohet të shtrihet jashtë saj.

Vetëm 30 ditë kohë, ndryshe do të largoheni me forcë

Banorët në peticionin e tyre ngrejnë edhe shqetësimin tjetër, atë të afatit ligjor për të ankimuar këtë vendim. Sipas tyre ky afat është vetëm 30 ditë, ç’ka e bën të vështirë marrjen e masave apo edhe veprimeve të tjera ligjore ndaj një akti të tillë zaptues. E gjitha sipas tyre ka një karakter ultimativ.

Cilat janë argumentat e banorëve të Kombinatit

“Mendojmë se nuk është e drejtë që të shemben me mijëra metra katrorë objekte industriale për të ndërtuar banesa. Nuk i takon ky luks shtetit tonë që është i mbytur në borxhe.

Banesat janë të ndërtuara në vitet 1980 dhe nuk janë prekur nga tërmeti.

Zona jonë është një nga zonat industriale të Tiranës. Në disa ndërtesa punojmë ne, disa u janë dhënë me qira kompanive të tjera.

Nuk mendojmë që është koha që të ndërhyet tani pasi bizneset janë të prekura nga pandemia.

Prishja e tyre është e paligjshme dhe diskriminuese. Ajo që ndikon është kontrata që kemi lidhur me firma të huaja. Këto do të kenë kosto të jashtëzakonshme”, përmend ndër të tjera peticioni.

Reagimi i Presidentit për këtë çështje

Presidenti Ilir Meta ka denoncuar shkatërrimin e pronave të qytetarëve në zonën e Kombinatit, veprim që sipas tij po bëhet me pretekstin e rindërtimit dhe alibinë e ndërtimit të një zone të re zhvillimi.

“Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë duket se me presion e dhunë po përfshijnë brenda planit për prishje edhe prona, që nuk janë prekur nga tërmeti, pa informuar pronarët se çfarë fati i pret pasuritë e tyre”, thekson kreu i shtetit.

Presidenti i ka bërë thirrje qeverisë dhe bashkisë së Tiranës që “të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje e procedurë antikushtetuese, që synon zaptimin e pronave private të qytetarëve për ndërtimin e kullave shumëkatëshe edhe në këtë zonë të Tiranës, por të garantojnë një zgjidhje të drejtë e objektive siç Kushtetuta e parashikon“.

Deklarata e plotë

Në mënyrë antikushtetuese, të dhunshme dhe jo transparente, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë kanë nisur një proces shkatërrimi për pronat e qytetarëve në zonën e “Kombinatit” në Tiranë.

Jam njohur me peticionin e dërguar nga një grup qytetarësh të kësaj zone dhe i kam kërkuar zyrtarisht, që prej muajit shkurt 2021, Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë të vlerësojnë ankesat e parashtruara me objektivitet dhe paanshmëri.

Deri tani asnjë angazhim serioz prej tyre, që të reflektojë zgjidhjen e çështjeve të ngritura me të drejtë nga këta qytetarë.  Me pretekstin e rindërtimit të pronave të dëmtuara nga tërmeti dhe me alibinë e ndërtimit të një zone të re zhvillimi, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë duket se me presion e dhunë po përfshijnë brenda planit për prishje edhe prona, që nuk janë prekur nga tërmeti, pa informuar pronarët se çfarë fati i pret pasuritë e tyre.

Në këtë mënyrë Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë po ndërhyjnë me forcë mbi jetën dhe të ardhmen e qindra familjeve, duke krijuar një situatë të pasigurt ligjore dhe duke nxitur një tension social të panevojshëm në këtë zonë.

I bëj thirrje Qeverisë ende në detyrë dhe Bashkisë Tiranë, të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje e procedurë antikushtetuese, që synon zaptimin e pronave private të qytetarëve për ndërtimin e kullave shumëkatëshe edhe në këtë zonë të Tiranës, por të garantojnë një zgjidhje të drejtë e objektive siç Kushtetuta e parashikon.

Neni 41 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton pronën private të çdo qytetari.

Ndaj nuk ka VKM apo Akt Normativ, që mund të cënojë këtë të drejtë të shenjtë apo më keq akoma, t’i largojë forcërisht qytetarët nga pronat e tyre, pa një proces të rregullt ligjor.

Duke i falënderuar qytetarët e “Kombinatit” për shqetësimin, që më kanë përcjellë, i garantoj se do t’i mbroj me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore të drejtat e tyre kushtetuese.