SPORT| “Kam gjak shqiptari, nuk e kisha vështirë të bëja zgjedhjen” – Armando Broja

DURRES – Sulmuesi i talentuar shqiptar nën pronësi të Chelsea, por që londinezët e kanë huazuar në Eredivisie te Vittese, ka zgjedhur Kombëtaren e Shqipërisë, edhe pse është lindur në Angli. Në një intervistë për “Goal”, Armando Broja ka treguar pse ka zgjedhur Shqipërinë, pasi për të nuk ishte problem ta bënte këtë zgjedhje.

“Normalisht që është një vendim i madh dhe i rëndësishëm, kur t’i zgjedh vendin tënd për të luajtur. Zgjodha Shqipërinë, sepse brenda meje kam gjak shqiptar. Unë jam shqiptar, prindërit e mi po ashtu dhe nuk e kisha të vështirë për të bërë zgjedhjen”,- ka thënë fillimisht Broja.

Sulmuesi shtatlartë ka thënë se i pëlqen t’i bëjë shqiptarët krenarë dhe se do ta ndihmojë Shqipërinë për të shkuar në një kampionat europian ose botëror. “Më pëlqente që të bëja shqiptarët krenarë, por edhe prindërit. Unë dua ta ndihmoj Shqipërinë për të shkuar në një Botëror ose një Europian, çka do të ishte gjë e madhe për shqiptarët. Nëse do të shkonim në Kupën e Botës, do të ishte çmenduri dhe ne do të bënim histori. Ne nuk kemi arritur më parë këtë dhe do të ishte diçka e çmendur për të gjithë”,- tha Broja.