Pasuria e Edi Ramës u 16-fishua| BIRN: Burimi financiar i vilës në Surrel, i paqartë!

Rrjeti investigativ BIRN, ka analizuar deklaratat e pasurisë së kryeministrit Edi Rama dhe familjes së tij.

Nga këto deklarata rezulton se pasuria e Ramës u rrit 16 herë që nga viti 2003.

Një nga çështjet më të nxehta, për të cilën kryeministri është sulmuar edhe publikisht është vila e tij me sipërfaqje të konsiderueshme në Surrel. Edhe në analizën e BIRN, burimi financiar për vilën e kryeministrit mbetet i paqartë.

“Shtëpia e banimit në komunën Dajt në bashkëpronësi me bashkëshorten është deklaruar për herë të parë në vitin 2013 me vlerë 39,607,741 lekë dhe përbën zërin kryesor në shtesën e aseteve. Rama deklaron se ka dorëzuar në ILDKPKI dokumente shtesë si leje ndërtimi dhe dokumente mbështetëse për burimin e krijimit, të cilat BIRN nuk i disponon, por në rubrikat përkatëse të formularit nuk rezulton burimi i krijimit të kësaj pasurie.

Në tetor 2013, subjekti deklaron se ka një detyrim të pashlyer për shtëpinë ndaj shoqërisë së ndërtimit në shumën 12,056,241 lekë “në pritje të miratimit të një kredie bankare”. Kredia bankare me vlerë 80,000 euro është lëvruar më 22 tetor 2013, me afat shlyerje 10 vjet.

Në analizën statistikore të pasurisë janë përfshirë edhe dy huadhënie të deklaruara nga Linda Rama në vitin 2010, në vlerat 30 mijë euro dhe 40 mijë euro. Këto hua nuk deklarohet të jenë kthyer deri në fund të vitit 2018“, thuhet ndër të tjera në raport