Koço Kokëdhima: Qeveria Rama dështoi me vaksinimin, bën spektakël bosh! Janë të korruptuar

Kryetari i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima ka reaguar menjëherë pas raportimit të dy viktimave në moshë të re nga COVID-19 në vendin tonë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Kokëdhima shkruan se viktimat në moshë kaq të re janë një kambanë alarmi dhe duhet të krijohet një politikë agresive për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

Më tej, kreu i Partisë “Zgjidhja’’ sjell shembujt e Serbisë dhe Izraelit të cilët në kohë rekord kanë siguruar vaksinën, teksa kërkon të ndiqet e njëjta rrugë edhe në vendin tonë.

Sipas tij, sigurimi i vaksinave të certifikuara nga të gjitha vendet prodhuese mund të mposhti virusin dhe më pas të sjell hapjen e vendit.

Sakaq, shton se duhet dhënë fund politikave personale të korruptuara të cilët i llogarisin shqiptarët vetëm ditën votimeve.

Statusi i plotë i Koço Kokëdhimës:

Viktimat më të fundit të COVID-19, një 17-vjeçar dhe një 28-vjeçare shtatzënë, janë kambanë alarmi se virusi nuk kursen askënd dhe se duhet një politikë agresive për të mbrojtur popullatën.

Qeveria dhe shërbëtorët e saj kanë dështuar me masat represive dhe me spektaklin demagogjik të gjoja vaksinimit.

Duhen siguruar urgjentisht vaksina të certifikuara nga të gjitha vendet prodhuese, siç kanë bërë me shumë sukses Serbia e shtete të tjera dhe duhet bërë vaksinimi masiv për të gjithë të rriturit, siç po bën Izraeli, lider në botë në këtë proces, me qëllim mposhtjen e virusit dhe hapjen e vendit.

Mjaft më me politikat personale të profanëve të korruptuar, që i llogaritin shqiptarët, si të gjallë dhe të vdekur, vetëm në defterët e tyre elektoralë