Indrit Vokshi – Gjumi i Lulzim Bashës!

Nga Indrit Vokshi

Rilindja e Edi Ramës ka futur në punë të gjitha forcat e veta të propagandës e manipulimit, me media, me analistë, me gazetarë, me komentues, me blogerë, me qen, me mace e minj, për ta portretizuar liderin e PD si njeri i cili fle gjumë.

Ku e dinë ata se sa orë gjumë fle Lulzim Basha? Sigurisht nuk e dinë. Por ata kanë shpresë tek masa e njerëzve që janë bij e bija të banalitetit, tek ata të cilët kur shohin dikë joagresiv e quajnë çunmami, kur shohin dikë që jeton punë-shpi i thonë “gjynah i shkreti, punë, shpi” (se këtu është gjynah e turp të jetosh punë-shpi). Kanë shpresë tek ata të cilët po nuk e panë politikanin duke kërcënuar me prerje duarsh, me varje në pemë, po nuk e panë duke sharë me grua, duke përgojuar familjarët, nuk e quajnë, sikur nuk i ngroh, sikur “mirë, mirë, por jo në të gjitha drejtimet”, sikur i mungon diçka atij politikani. Një politikan i cili nuk sillet ashtu, nuk u ngacmon atyre instiktet gjaksore që njeriu trashëgon prej kohërave të shpellave, nuk u ushqen instiktin e fshehur për ta poshtëruar tjetrin, instikte për të cilat psikanalisti Sigmund Freud thotë se vetëm një tyl i hollë i ndan ato prej kulturës, edukatës, etikës e mirësjelljes; ato janë gjithmonë gati për të shpërthyer sapo dikush t’i ngacmojë, t’i frymëzojë e t’i thërrasë për të dalë në sipërfaqe. Ketë ka bërë Rama. Ka luajtur me ndjenjat e errëta të njerëzve. Ka thënë në emër të tyre ato që ata vetë nuk i shprehin. Prandaj ketë masë njerëzish të zhytur në banalitet e që nuk munden të kontrollojnë instiktet e fshehura, Rama kërkon ta frymëzojë e tja fitojë simpatinë.

Në planin politik është fatkeqësi dhe rrënim për Partinë Socialiste e cila ka degraduar duke pasur slogan fushate një perceptim të prodhuar e të falsifikuar vetë; gjumin e liderit të opozitës. Duke mos pasur çfarë arritjesh të prezantojë para shqiptarëve pas 8 vitesh qeverisje, duke mos pasur asnjë vepër publike, asnjë standart të krijuar, asnjë përmirësim në jetesën e njerëzve, Edi Rama kërkon ta shkatërrojë e ta çojë në kolaps politikën shqiptare. Kërkon t’i vrasë nocionet e demokracisë dhe shtetit me kushtetutë, kërkon ta shkulë nga mendjet e shqiptarëve rregullin se qeveria pas katër vitesh duhet të japë llogari ku i ka çuar paratë e si e ka përdorur pushtetin në mardhënie me njerëzit.

Duke i vrarë këto nocione e rregulla, duke ju shmangur këtyre përgjegjësive, Edi Rama kërkon mandatin e tretë duke u thënë shqiptarëve, “ska rëndësi sa kam vjedhur, ska rëndësi ku i kam çuar paratë e buxhetit, ska rëndësi a i kam dhunuar shqiptarët, ska rëndësi asgjë, ju duhet të më votoni mua, sepse Basha fle.”

Pra imagjinojeni situatën; njerëzit do pyesin, z. Rama, si i manaxhuat 4 miliard euro buxhet shteti në vit? Lul Basha fle gjumë. Do pyesin, z. Rama, keni manaxhuar rreth 30 miliard euro buxhet në 8 vite, a mendoni se me 30 miliard euro bëhen punë të mira në Shqipëri? Lul Basha fle gjumë. Do pyesin, z.Rama pse e keni varfëruar Shqipërinë në ketë mënyrë? Lul Basha fle. Do pyesin, z.Rama, pse e kriminalizuat shtetin duke kandiduar deputetë e kryebashkiakë të dënuar në Itali e Greqi? Lul Basha fle. Kaq banale është e gjitha.

Lulzim Basha në emër të PD u është paraqitur shqiptarëve me program, as me timon, as me tepsi, as me kazan. U është paraqitur duke vlerësuar rregullat dhe nocionet e demokracisë dhe shtetit kushtetues. Mundej edhe PD tu thoshte shqiptarëve: “Na votoni ne, sepse Edi Rama pi drogë..”. Mirëpo nuk po e bëjnë ketë. Po mundohen tu përgjigjen problemeve të njerëzve. Po mundohen të bëjnë politikë ashtu siç bëhet politika kudo në Europë.

Me 25 prill shqiptarët kanë dy mundësi: ose të orientohen drejt ndërtimit të politikës së vërtet, drejt rregullave demokratike, drejt nocioneve të shtetit normal e ligjor ose, të vazhdojnë me zero punë, 100% propagandë. Me justifikim për gjithçka, me fajsim të çdokujt. E mira është të orientohemi nga politika e vërtet sepse gjatë gjithë historisë, politika e vërtet ka treguar se ka aftësi të transformojë e të përmirësojë jetesën e njerëzve. Dhe të gjithë treguesi na thonë se shqiptarët janë lodhur me fajsime, justifikeme e me zero punë.