Çështjen kombëtare mundeni ta vononi, jo ta ndalni! Si e ndali Majko ngarkesën me Armë për UÇK-në

Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan: Aq shumë e bllokoi ish-kryeministri i atëhershëm Pandeli Majko dërgesën e armatimeve për në Kosovë, sa u desh që amerikanët ta thërrasin në Washington.
Ndërkohë, edhe pse ishte dhënë urdhër nga Majko për bllokim transporti, – shkruan Goxhaj, – sërish vazhdonte të qarkullonte armatimi nëpër Shqipëri, në drejtim të veriut, për nevoja të luftës çlirimtare.
Ai sjell një episod që tregon thelbin e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve, kur i zhvesh nga politika e ditës:
Disa shtete, si Franca, Italia, Greqia ankohen te Shërbimi Informativ Shqiptar se nuk po bente asgjë për të bllokuar armatimin dhe zbatuar vendimin e Kryeministrit. SHIK-u i përgjigjet se nuk mundet, pasi nuk e kontrollon dot. Shqiptarët po i ndihmojnë me çfarë munden UÇK-ën, – ishte përgjigjja e Shërbimit Informativ.
Për ta konfirmuar, na kontakton një ditë Shërbimi, – thotë Goxhaj, – dhe na kërkon që të marrim një furgon me armatim nga Tirana e ta nisim për në Kukës.
E mbushim furgonin me armatim, dhe shofer e pasagjerë janë tre shqiptarë të Kosovës në UÇK. Furgonin me armatim duhet të shkojë në bazën tonë në Cahan. Njëkohësisht vëmë në dijeni SHIK-un për furgonin, duke i njoftuar të dhënat. SHIK-u njofton zyrtarët përkatës të ambasadave që ishin ankuar pse nuk zbatohej vendimi i Majkës, dhe me makina civile, ata, së bashku me SHIK-un i vihen furgonit nga mbrapa sapo ai del nga Tirana. Në çdo postobllok policie që u ndalua furgoni, duke nisur që nga Laçi ku fillonte postblloku i parë, e deri kur mbërriti në Kukës, kur policia i pyeste se çfarë ka në furgon, djemtë tregonin se kishin armë për UÇK-në.
Në të gjitha postoblloqet policia i uronte rrugë të mbarë pa i hapur probleme fare. Dhe kështu, pas rreth 8 orësh, furgoni mbërriti në Kukës. Kësisoj të huajt u bindën se ishte populli i thjeshtë që ndihmonte UÇK-në, e jo drejtuesit e shtetit.
Sa herë që kalonim armatim nëpër Shqipëri dhe drejtuesit e policisë në rrethe nuk kishin dijeni, nuk kishim asnjë problem. Kur na e bllokonin ngarkesën, për hir të së vërtetës, më pas na e kthente mbrapsht SHIK-u, – shkruan Goxhaj.