Papa Françesku: nuk duhet dialoguar kurrë me djallin

Në lutjen e  kremtuar nga dritarja e Pallatit Apostolik, në të Dielën e parë të Kreshmëve, Papa u ndalua tek Ungjilli i Tundimeve, “duke treguar rrugën për t’i jetuar me fryt dyzet ditët, që çojnë drejt kremtimit vjetor të Pashkëve”.

Jeta e të krishterit, luftë e vazhdueshme kundër shpirtit të keq

Jeta e të krishterit është luftë e vazhdueshme kundër shpirtit të keq – theksoi në vijim Papa – Na e kujton çdo vit, në fillim të kreshmëve, Ungjilli, që përshkruan tundimet e Jezusit në shkretëtirë. Kështu është edhe jeta e të krishterit, që ecën mbi gjurmët e Jezusit. Kundër shpirtit të së keqes. Na tregon se Jezusi e përballoi vullnetarisht djallin dhe e mundi; por duke na kujtuar se djallit i lejohet të veprojë edhe mbi ne, me tundimet e tij. Duhet të jemi të vetëdijshëm për praninë e këtij armiku dinak, që kërkon dënimin tonë të amshuar, dështimin tonë. Ndaj duhet që secili prej nesh të përgatitet për t’u mbrojtur, për ta luftuar e për ta mundur – ishte porosia e Françeskut. –  Hiri i Tënzot na siguron, përmes fesë, lutjes e pendesës, fitoren e sigurt mbi armikun.

Po unë – kujtoi Papa – dëshiroj të nënvizoj një gjë:

“Ndër  tundime Jezusi nuk dialogon kurrë me djallin. Kurrë. Ose e dëbon nga të pushtuarit prej tij, ose e dënon, ose u tregon të gjithëve ligësinë e shejtanit. Po dialog nuk bën kurrë. Në shkretëtirë të duket se dialogohet, sepse djalli i bën Jezusit tre propozime e Jezusi i përgjigjet. Por jo me fjalët e veta. Përgjigjet me fjalën e Zotit, me tre fragmente të Shkrimit Shenjt. E këtë e bën për ne të gjithë. Kur afrohet joshësi, ia nis të joshë: ‘E po duhet të mendosh këtë e atë…’. Tundim do të thotë të dialogosh me të, si pati bërë Eva. Eva tha: ‘Epo s’është e mundur që ne….’. Hyri në dialog me djallin! E nëse edhe ne dialogojmë me të, do të humbasim. Nguleni mirë në kokë këtë, e edhe në zemër. Nuk ka asnjë dialog të mundshëm me djallin! Vetëm  me fjalën e Zotit!”.

Kthesë e vërtetë, në dëgjim të Fjalës së Zotit

Në kohën e Kreshmëve, Shpirti Shenjt na çon edhe ne, si Jezusin, në shkretëtirë. Nuk është fjala – e pamë – për një vend fizik, por për një përmasë ekzistenciale, për të ndenjur në heshtje. Për t’u vënë në dëgjim të Fjalës së Zotit “që të mund të bëjmë kthesën e plotë”:

“Mos kini frikë nga shkretëtira, kërkoni çaste, që ju ndihmojnë të luteni, të heshtni, të hyni në thellësitë e vetvetes”.

Papa e përfundoi katekizmin e lutjes së Engjëllit, me një thirje, drejtuar  të gjithë besimtarëve që hynë të përhimë në udhën  Kreshmore:

“Jemi të thirrur të ecim në shtigjet e Zotit, duke përsëritur premtimet  e Pagëzimit; t’i biem mohit djallit, të gjitha veprave të tija e të gjitha joshjeve të tija. T’ia besojmë këtë ndërmjetësimit të Virgjërës Mari!”.