Kulla e xhamtë e Ramës në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar

Arben Rrozhani

Melsi Labi e mori drejtimin e Muzeut Historik Kombëtar, pas fitores PS-LSI në zgjedhjet e vitit 2013. Në shkurt 2017 do të shkarkohej me vendim të ministres së Kulturës së asaj kohe, Mirela Kumbaro, me motivacionin “Për mosrespektim të përsëritur të marrëdhënies së punës, duke shkaktuar dëm institucional dhe duke cenuar rëndë parimin e përgjegjshmërisë dhe mirëbesimit institucional”. Labi e kishte akuzuar Kumbaron se mbështeste muzetë privatë, në vend që të financonte Muzeun Historik Kombëtar, që ishte, sipas tij, në gjendje të mjerueshme. “Na kanë futur në një betejë për mbijetesë. Ndërkohë harxhohen miliona euro në hapjen e muzeumeve si Bunk’arti etj., ku privati merr lekët dhe i fut në xhep. Ndërsa këto pasuri kombëtare që i kemi, nuk i ruajmë. Është detyrë e ministrisë ta mbajë Muzeun, sepse janë lekët e taksapaguesve”, deklaronte Labi 4 vite më parë.

 

Tani jep edhe një prapaskenë tjetër të kohës kur ishte drejtor. Duke reaguar në një postim të pedagogut Ervin Goci për kullat rreth sheshit “Skënderbej”, Labi deklaroi se idea për një kullë brenda muzeut, ra pas kundërshtimit të tij. Dhe kjo u pasua me hakmarrjen ndaj tij, duke e larguar nga posti, që mori në vitin 2013 si përfaqësues i LSI-së, por edhe duke e kërcënuar me jetë, sepse thotë se jeton me “kanun të hapur”. Ai u betua se do ta mbrojë edhe me jetën e vet institucionin që drejtoi e që, sipas tij, është lënë qëllimisht me kompesata në vend të xhamave që u thyen pas protestave të nisura për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, më 8 dhjetor 2020.

 

Xhamat e thyer të MHK-së gjatë protestave të dhjetorit 2020

“Kjo e muzeut u hoq (mendoj unë) mbasi drejtori i kohës Melsi Labi, jo vetëm e denoncoi në të gjitha organet kompetente, por dhe i vuri gjoksin personalisht. Sot Melsi Labi jeton me kanun të hapur për këtë problem, me vendim të prokurorisë madje (të këtij shteti legen), por një gjë është e sigurtë: Muzeu nuk preket, në të kundërt une do të zbatoj Kanunin e lënë hapur nga ky shtet legen, me këdo, që nga njëshi i republikës e deri te më i fundit.

Muzeu do të mbijetojë dhe pikë, jeta ime nuk ka vlere pa të, sepse Muzeu nuk ka patur drejtues legena pa këllqe si Hervin Çuli, bixhozxhi e pijanec, që firmosën shembjen e teatrit.

Sot është lënë kastile pa dritare dhe me kompesata, por vallahi po u prek, do të marre koka njerëzish. Këtë bese ia kam dhënë Perëndisë, kombit, historisë dhe fëmijëve të mi. E për këtë betohem me jetën time. Pikë. Kush nuk e beson, le ta provojë se sa i vlen lëkura”-shkruan ish-drejtori Labi.

Reagimi në “Facebook”

 

Kulla në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar ishte pjesë e të ashtuquajturit “Plan Francez” për qendrën e Tiranës.

Ai u nis nga Edi Rama, që kur mori bashkinë në tetor 2000, ngeci në vitet 2011-2015 kur bashkinë e drejtonte Lulzim Basha dhe u riaktivizua me një “plan belg”, pasi bashkinë e mori Erjon Veliaj.

Në dhjetor 2015, pak muaj pasi ishte futur në zyrë, Veliaj deklaroi se do të fillonte zbatimi i projektit të ish-kryebashkiakut Rama për Sheshin “Skënderbej”, hartuar nga studioja belge 51N4E dhe Anri Sala, një nga miqtë më të afërt të Kryeministrit Rama dhe miratuar në vitin 2008, me kosto rreth 11 milionë Euro dhe financim nga fondet e qeverisë.

“Plani francez” për qendrën e Tiranës

Sipas këtij plani ndërtesa e Muzeut Kombëtar ishte planifikuar të kthehej në një qendër argëtuese dhe tregtare, me librari, kinema, sallë aktivitetesh, sallë eskpozitash, bare, restorante, dyqane, ekspozime etnografike, të realizmit socialist dhe dokumente të periudhës së totalitarizmit në Shqipëri. Në mes të godinës do të ndërtohet një strukturë xhami, në majën e së cilës do të ndërtohet një restorant “shik me ushqime shqiptare”.

Rama e përshkruante me tone romantike idenë e tij për ndërtesën e Muzeut Kombëtar:

“Muzeu i vjetër Historik, që lëngon si gërdallë barkzbrazur, gjynah e turp pas njëzet vjetësh nga rënia e komunizmit dhe Realizmit Socialist. Riprogramohet si një hapësirë e gjallë e trashëgimisë kulturore e historike, […] nga shtresa e parë e objekteve origjinale arkeologjike në hyrje, te zona e tregtimit të librit shqip në mjedisin e katit të fundit, ku shkohet duke kaluar me një rend të studiuar mirë përmes shëmbëlltyrave më të vyera të kulturës etnografike, veprave më përfaqësuese të artit bizantin, një koleksion permanent origjinalesh të Realizmit Socialist, kombinuar me dëshmi autentike të terrorit totalitar, të ndërthurura me dhoma projeksionesh, filmime, burime të aksesueshme për publikun të informacionit të thelluar dixhital, pika shitje të botimeve e suvenireve nga udhëtimi brenda muzeut, kënde relaksi e bare të vogla, një sallë konferencash moderne dhe po ashtu një mjedis ekspozitash të përkohshme, si dhe një bibliotekë dixhitale e gjithçka gjendet e shkruar në gjuhën shqipe, së bashku me një restorant shik ushqimesh tradicionale.”

 

Në funksion të kullës është edhe lënia e MHK-së me kompesata në vend të xhamave pasqyrë?/Gazeta Shekulli