Adela Radovani – Shqiptarët nuk e duan dritën


Nga Adela Radovani

Shqiptarët nuk e duan dritën, gjithmonë e kam menduar këtë. Kur isha fëmijë, prindërit më çonin në shtëpi të miqve të tyre, në kohën kur ishte ende normale që të hyje në shtëpi të tjetrit për vizitë dhe më bënte përshtypje sa shumë tenda, grila, perde fanellate, grila bambuje e lecke të brendshme kishte në secilën prej tyre. Diçka i shqetësonte këta njerëz që donin me patjetër ta kishin shtëpinë sa më të errët, sa më të padukshme nga jashtë e nga komshinjtë e pallatit përballë, a ndoshta sa më pak të dukshme nga ata vetë përbrenda. Më kujtohen mbulesat e zezjeshilta të krevateve martesore, ku dukej sikur diç kishte vdekur, ndonjë kafshë pylli e tash, parketi i vjetër kundërmonte me era myk, muret e lyera ngjyrë mente fosfori a portokalli të errët, mobiljet e reja që rrekeshin të dukeshin antike e iu dilte anash cepi i melaminit me tallash dhe mobiljet e vjetra që i dilte llaku njolla njolla nga përpjekja për t’i bërë të dukeshin të reja. Shandanët në dhomat e ndjenjes, gjithnjë pis, paçka se ja, para një jave e zonja e shtëpisë desh theu qafën majë karriges për të pastruar qelqurinat një për një, dhe divanet tresh dysh njësh njësh, gjithnjë të parehatshëm paçka se kishin kushtuar tre rroga të të dy të punësuarve në shtëpi.

Por pavarësisht të gjithave, në mendje më mbeste errësira dhe dëshira kaq e madhe për ta bërë shtëpinë të dukej e zymtë. Ata që nuk e bënin, e ishin të rrallë, më ngjallnin menjëherë respekt dhe një dashamirësi, i ndjeja më afër vetes dhe më miqësore, edhe nëse më pas, dilnin se nuk ishin njerëz për t’u pasur aq me qejf dhe e kundërta. Jo çdo gjë në errësire ishte domosdoshmërisht e keqe. Këtë vëzhgim shtëpiash e kam pasur që fëmijë dhe ka gjasa të jenë themelet e para që e drejtojnë fëmijën drejt idesë së të qenurit më vonë, shumë më vonë, një grua. Gruaja dhe shtëpia duhet të kenë një lidhje të fortë, që nuk e ka as me burrin e as me fëmijët. Shtëpia është krenaria e një gruaje. Ose ishte. Tani shtëpia është një kredi dhe 20 vite larg, me dritare të ngushta, banjo të vogla me aspirator dhe asnjë shans për dritë. Do apo nuk do.

Thelbësisht, në mendjen time nuk mund ta quaj veten grua për sa kohë që nuk kam shtëpi timen. Kjo mendësi, që e di se është e gabuar, më shtyn që ditët të më duken më të zeza nga ç’janë, që njerëzit dhe veprimet e tyre më zmadhohen nën hijen e sikletit të madh që, kudo që të shkoj e sido që të jetë, nuk e kam mundësinë që të ulem në shtratin tim e të qaj aq sa dua e për aq kohë sa mundem. Që sendet e mia të jenë të sigurta, të pacënueshme, që rrobat e trupit tim të jenë të kontrollueshme prej meje. Nëse rrobat nuk janë të miat, as trupi nuk ndihet i imi. Të qenurit e huaj në shtëpinë ku jetoj është një ndjesi që më ka lindur që herët dhe nuk më është shkulur kurrë.

E bashkë me këtë, vjen dhe dëshira e largimit. Largimi i vjen natyrshëm burrave, por jo grave. Një grua do të qëndrojë aty ku ndjen se e ka të caktuar edhe me shekuj të tërë, sikur të mundte të jetonte aq, një burrë e ka më të lehtë të lëvizë dhe të shqitet nga rrënjët e veta. Pra, a mund ta quaj veten grua nëse gjithmonë ndjej se dua diku të largohem, unë mendoj se jo.

*marrë nga profili në rrjetet sociale të Autores.