‘Ndragheta’| Pala italiane s’ka ndarë informacion me palën shqiptare, frikë nga dekonspirimi

I ftuar në edicionin informativ të orës 15:00, gazetari i kronikës në Ora News, Elton Qyno ka dhënë detaje mbi skandalin e përgjimeve të Ndragheta-s, sipas të cilave mafia e njohur kalabreze ka shtrirë tentakulat e saj edhe në Shqipëri përmes lidhjeve të saj politike.

Sipas Qynos, SPAK nuk ka qenë e njohur zyrtarisht me çështjen, që kur ajo ka nisur në vitin 2016-2017 në Itali.

Ai shtoi se, pala italiane ka patur edhe frikën e dekonspirimit të hetimeve në momentin që në bisedat e përgjuara përmenden edhe emra drejtuesit të Policisë së Shtetit.

“Çështja ka ngecur këtu sepse vetë prokuroria shqiptare nuk është impenjuar në hetimet e prokurorisë së antimafias në Itali. Pra nuk ka pasur një bashkërendim apo një hetim paralel, si në Shqipëri dhe në Itali. Në këto kushte, e gjendur në këtë situatë, e mosinformimit për këtë hetim, absolutisht Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar që të njihet me aktet hetimore përsa i përket veprimeve hetimore, përgjuese, vëzhguese por edhe të përgjimit ambiental që janë kryer në Romë ndaj këtyre  individëve, me qëllim për të krijuar dhe ajo një ide të saktë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht. Dhe të njihet zyrtarisht me materialin, jo vetëm me atë që ka dalë në media. Qoftë në median tonë apo në media të tjera në Shqipëri.

Dua të theksoj se, pala shqiptare nuk ka qenë e inpenjuar. Italia e ka mbajtur në diskret total hetimin përsa i përket pastrimit të parave nga organizata mafioze Ndragheta. Dhe nuk ka dhënë asnjë thërrime informacion për palën shqiptare, qoftë edhe për të verifikuar. Ato që janë verifikuar janë verifikuar prej Policisë së Shtetit përsa i përket bilanceve të dyqanit Gallo Albania, që Antonio Gallo ka në Bllok, kaq ka mjaftuar. Vetëm për të parë bilancet e këtij dyqani duke mos patur asnjë individ që këta persona kanë hyrë në administratën shtetërore, kanë fituar tendera apo leje ndërtimi. Në këto kushte nuk është shpërndarë ndonjë informacion tjetër për Prokurorinë e Posaçme SPAK apo në atë periudhë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të impenjohej për të zhvilluar hetimet. Më tepër e kanë hetuar italianët dhe gjithë hyzmetin ja kanë bërë italianët dhe nga ana tjetër prokuroria shqiptare është lënë mënjanë”, u shpreh ndër të tjera gazetari Qyno.

Sa i përket përmendjes në përgjimeve të drejtorit të Policisë së Tiranës në vitin 2017, Qyno u shpreh se kjo ka qenë një tjetër arsye që pala italiane të mos ndante informacionet me atë shqiptare nga frika e dekonspirimit.

Fakti që këta persona, Antonio Gallo, Tomasso Brutta, përmendin herë pas here Drejtorin e Policisë së Shtetit, që në 2017-2018 ka qenë drejtor i Policisë së Tiranës, absolutisht mund të ketë krijuar dyshime të qarta mbi prokurorët dhe grupin e përgjimeve në Itali që këtë informacion të mos e ndajë me palën shqiptare pasi dukshëm dhe në biseda spontane që këta individë kryejnë me njëri-tjetrin që t’ju krijohet bindja e arsyeshme që këta kanë një afrimitet shumë të madh me strukturat policore në Shqipëri. Në këto kushte, në momentin që mund të jepej ky informacion palës shqiptare direkt do të dekonspirohej dhe ky informacion të shkonte në veshin e këtyre zyrtarëve dhe personazheve që përmendim“, u shpreh gazetari i Ora News Elton Qyno.