Kleptomania zgjedhore, një fenomen i rëndomtë i politikës shqiptare

Eden Babani, Bruksel

Vështirë se mund të shkulet Edi Rama nga poltrona e Kryeministrisë me zgjedhje. Situata absurde që krijoi, pasi shtiu në dorë timonin dhe tepsinë, e bën të pamundur.

Siç bëjnë me dije herë pas here mediat e rrjetet sociale dhe siç tregojnë gjasat, tashmë institucionet shtetërore të “Rilindjes” socialiste kanë ngritur dhe po ngrenë dita-ditës lloj-lloj kurthesh e marifetesh për t’i vjedhur ato, si përherë. Kleptomania zgjedhore, – një fenomen i rëndomtë te ne, – ka lëshuar rrënjë të thella. Ku më shumë e ku më pak, herë me grusht e herë me torbë, votat janë vjedhur gjithnjë. Nga 2017-a e këtej, pamë edhe thesin. Sjell në kujtesë zgjedhjet e fundit lokale kur PS-ja garoi vetmevete dhe me ndonjë parti fantazmë. Nuk i dilnin numrat që mori nga të vetët dhe, që të mbushte thesin aq sa i duhej për të ruajtur formalisht bilancin e zgjedhjeve paraardhëse, e çoi atë ashiqare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kleptomani, kur s’ka ç’të vjedhë, kruan xhepat e vet.

* * *

Në kontekstin e sotëm social, politik e shëndetësor, kur varfëria është shtruar këmbëkryq, kur politika sillet e përsillet symbyllazi dhe kur vdekja po korr me kosë, a do të shmanget ky fenomen i rrezikshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Ka zëra që shprehin besueshmëri për një rrotacion të mundshëm. Por, përpos tyre, ka edhe plot të tjerë, që mosbesimin e shfaqin haptazi, sidomos pasi mazhoranca zhbëri në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e 5 qershorit, në kundërvajtje me Kushtetutën. Koha e mbetur deri më 25 prill, premton një hiç të madh. Madje as edhe një arnim dosido, teksa nga e opozitës radhët dalin orë pas ore renegatë të tipave nga më të ndryshmit.

* * *

Një mik imi, pronar i një farmacie bujqësore, është i bindur se Edi Ramën nuk do ta votojnë kësaj here as të vetët. Zhgënjimi është i madh, më tha. E shfaqin haptazi edhe denbabaden socialistët e thjeshtë. Nuk e votojnë as të qytetit, as të fshatit. U ka shkuar thika në kockë. Nuk kanë të blenë një grusht pleh kimik, pale fara e substanca të tjera bujqësore e blegtorale, kurse bletët po ngordhin.

Një shembull më përmendi miku im.

Pranvera po afron. Hardhitë, së paku, duan spërkatur, përndryshe rrushin, me të cilin mbajnë frymën familje e zona të tëra, e merr lumi. Vera ose rakia e Përmetit dhe e Skraparit do të shterin nëpër kafene dhe restorante. Do të vërshojnë lëtyrat e importit, kur dihet se “biznesmenët” importues nuk i ha meraku për qejflinjtë e pijeve alkoolike, as për zorrët e tyre. I ha meraku i xhepit.

Është bash ashtu siç thotë miku im. Nuk kam aspak dyshim se zhgënjimi në radhët e së majtës është i madh. Bindjen, ma përforcon sidomos frika që e ka mbërthyer “ekuipazhin” e anijes “Rilindja”, e cila  po merr ujë nga të katër anët, kurse “kapiteni” nuk di ç’ vrimë të zërë më përpara. Të zërë vrimën e varfërisë masive apo atë të papunësisë? Të frenojë përhapjen e virusit dhe numrin e vdekjeve apo të shmangë llojin e Tires?

Vrimat nuk kanë të numëruar, teksa për shkak të pandemisë që ka mbërthyer botën mbarë, më tepër se për gjithçka, njerëzit kanë hallin e kokës.

* * *

Në konferencën për shtyp “Ekonomia në fokus”, Kryeministri u përpoq të na mbushte mendjen përse i duhej mandati i tretë, duke bërë lojë fjalësh dhe duke manipuluar me lloj-lloj kinse argumentesh qesharake që shpesh arrijnë deri në absurd.

Edhe një mandat tjetër është i nevojshëm… Sistemi është në punë, është i ndarë në 3 faza. Marrëdhënia biznes-shtet ka nisur të hyjë në sistem, marrëdhënia biznes-biznes do hyjë më tej… Është një shtet i tërë në eter...”, deklaroi ndër të tjera, a thua se njerëzit do të ushqehen me sisteme informatike. Që të mbijetojnë, ata duan punë. Nuk ngopet barku me llafe e me lojë fjalësh “sistem”, “3 faza”, “biznes-shtet”, “biznes-biznes” etj.

Për sa më sipër, komentet e tepërta janë të panevojshme. Mbyllja e përditshme e bizneseve flet vetë, kurse e vetmja e vërtetë e kësaj pjese të diskursit politik të Kryeministrit, është ajo e “një shteti të tërë në eter”.

Po. Një shtet i tërë, me të gjallë e me të vdekur, endet në eter, pa ditur ku shkon.

* * *

Edhe lidhur me vaksinimin e popullatës, Rama u përpoq t’u shpëtonte fakteve duke bërë lojë fjalësh me alibinë e sekretit.

Kontrata me Pfizer, – tha ai, – është sekret, sipas klauzolës së sekretit tregtar…

Mirëpo sekreti s’është më sekret, qysh se kontrata e lidhur mes sektit Rilindja dhe Pfizer u bë e njohur në media, çka e nxori blof gjithë atë propagandë bombastike të  Kryeministrit në stadiumin Arena. Falë botimit të saj, u bë e njohur publikisht se, me 30 mijë vaksina që pritet të vijnë në shkurt, i bie të vaksinohen 130 persona në ditë.

Të pavërtetën e Ramës, – që të mos them “gënjeshtrën”, se s’ma nxë goja – e vërtetoi zonja Manastirlliu në programin Opinion të së enjtes. “A e dini ju sa njerëz mund ë vaksinohen deri në qershor?” – pyeti dikush. “Ne nuk dimë. Ne bëjmë plane”, u përgjigj hazërxhevap zonja ministre, sikundër edhe shefi i saj.

Ishte përgjigje “plagjiaturë”, më keq se plagjiatura e doktoratës e zonjës Manastirlliu, denoncuar në shtyp vite përpara. Sepse, vetëm ajo, ata dhe ato që mban rreth vetes mund të na thonë sesi bëhen plane pa u menduar.

* * *

Mbase gaboj, por mua sa vjen e po më shtohet bindja se, në ketë vend, ku s’mbetet   pa votuar veteran me kapelë alla Xherxhinski apo militant i PS-së, ku administrata e lidhur me pushtetin voton familjarisht për PS-në nga frika se humbet vendin e punës, kurse të dëshpëruarit mund të abstenojnë, rrotacioni është i vështirë, në mos i pamundur. Edhe sikur, për çudi, të mos vidhen votat, e nesërmja e 25 prillit do ta gjejë vendin në prag të një përleshjeje të ngjashme me atë të largimit të Trampit nga Shtëpia e Bardhë. Por, ndërsa në Uashington funksionuan institucionet demokratike, në Tiranë ato kanë vdekur me kohë. Kush do ta kundërshtojë Ramën, Kuvendi i kryesuar nga Ruçi, ish-ministër i fundit i Sigurimit famë keq, apo Rudina e kompani?

Ja përse më duket paksa në boshllëk një deklaratë e ditëve të fundit e zotit Basha, me gjithë respektin dhe besimi që kam te ai, si një lider politik ndryshe nga ata që kemi parë deri sot. 25 prilli, – tha zoti Basha, –  “do të jetë dita kur shqiptarët do të dalin masivisht për të votuar sepse alternativa është fare e qartë, o Shqipëria pra shqiptarët, familjet e tyre, fëmijët e tyre o Edi Rama, nuk ka alternativë tjetër.”

Po sikur të ngjajë e pangjara? Sepse duhen parashikuar të gjitha, edhe më e keqja.

Mendimi im modest është që opozita duhet të gjejë zgjidhje, përpara se të ngjajë e pangjara. Personalisht kam përshtypjen se Presidenti Meta jo më kot s’e lëshon nga goja fjalën referendum. Për vendin tonë, në prag  të humnerës, referendumi do të ishte mbase zgjidhja më e mirë.  Përndryshe…