Indrit Vokshi – Çfarë bën leku i mafias?

Nga Indrit Vokshi

Ende asnjë hetim nga SPAK për Erion Veliajn i cili rezulton se ja shiti Tiranën mafies, vetëm për lek dhe influencë. Para tre-katër vitesh, politikanët e Rilindjes, analistët që cicërojnë për ta, propagandonin se kur të ndërtohej SPAK, do kishte drejtësi, do merrte fund padrejtësia shekullore. Thuhej gjithashtu se SPAKun e ka frikë Opozita.

Në të vërtet, prokurorinë dhe gjykatën e pakapur e paskan pasur frikë Rama-Veliaj.

Mjafton të shohim përgjimet e antimafias italiane ku thuhet qartë se jepet 20% për të ndërtuar kulla në Tiranë. Dhe kullat janë fakt, janë aty, dmth se 20% është paguar dhe, 20% i miliarda eurove janë shumë lek, shumë euro në duart e Ramës dhe Veliajt.

Dmth është shumë influencë sepse me aq para blihen media, politikanë, analistë, prokurorë, gjyqtarë dhe diplomatë të huaj të cilët përdoren për t’i dhënë mafies legjitimitet ndërkombëtar, duke na folur ne shqiptarëve për reforma të lavdishme të qeverisë. Ato para përdoren, pra, për të shkatërruar përfundimisht çdo shpresë për demokraci, çdo perspektivë për shtet kushtetues, përdoren për instalimin e totalitarizmit dhe diktaturës së parasë e të mafies.

Dhe ska asnjë hetim për gjithçka përmendet në ato përgjime. Ka vetëm akuza komike nga ana e Rilindjes, akuza ndaj Antimafias së Italisë, sikur kjo Antimafie e paska bërë qëllimisht për të dëmtuar në fushatë Rilindjen e suksesshme. Nuk është me interes thelbsor se si e justifikon veten Veliaj, dihet se do justifikohet, sdo e pranojë. Por SPAK ka detyrimin të nisë hetim kundër tij.

Është shkatërruar Kryeqyteti dhe përveç shkatërrimit urbanistik e kulturor të Kryeqytetit ka ndodhur diçka edhe më e rëndë; po mbytet demokracia, po mbytet mundësia që në Shqipëri të jetohet normalisht. Mafia, në bashkëpunim me Rilindjen Rama-Veliaj, po helmojnë Shqipërinë, po helmojnë mundësinë për të jetuar këtu duke pasur të drejta, liri, ekonomi konkuruese, shkollim, qytet, kulturë, art dhe jetesë normale e të pranueshme.

Askund ku ka ngulur thonjt mafia, ska pasur e ska për të pasur zhvillim dhe përparim.