TIRANA, MAFIA E BETONIT DHE TEMPULLI I ZOTIT

Nga Sokol PAJA, SHBA

Tirana kthehet 54 vite pas. Tempulli i Zotit kërcënohet nga mafia e betonit. Babëzia e lejeve të ndërtimit shkatërron minaren e xhamisë së Et’hem Beut, një prej simboleve karakteristike të kryeqytetit të Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ndërmori një akt të pashembullt kundër historisë, trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës së qytetit. Veliaj bëri atë që nuk e bëri as diktatori Enver Hoxha kur rrënoi Kishat e Xhamitë dhe çdo objekt kulti fetar 54 vite më parë. Leja e ndërtimit ngjitur me Kullën e Sahatit, simbolit historik të kryeqytetit dhe Xhamisë së Tiranës, është njësoj si urdhëri i diktatorit Hoxha për ti shkatërruar tempujt e Zotit në kohën e revolucionit ateist në Shqipërinë komuniste. Madhështia e tempullit të Zotit mbulohet nga perversiteti korruptiv i kullës hijerëndë. Pushteti i lidhur me mafien, pastrimin e parave, lejet e pafundme korruptive të ndërtimit, babëzia dhe makutëria tashmë nuk pyesin as për Zotin dhe tempujt e tij. Verbëria para pasurimit të shpejtë, gjobës 20% të ndërtimit, shërbimit ndaj shefit të radhës dhe lidhja e tmerrshme me mafien që pastron çdo para të krimit e trafiqeve ndërkombëtare, i ka kthyer politikanët shqiptarë në përbindësha gjigandë që nuk pyesin për asgjë, as për ligj, as për interes kombëtar, as për Zot e aq më pak për tempujt apo faltoret e tij. Qyteti është i asfiksuar. Shteti në shërbim të krimit. Pushteti në shërbim të mafies. Kryeqyteti shqiptar ka humbur çdo pikë identiteti dhe vlere historike. Kullat që gërvishtin qiellin shqiptar dhe mbushin xhepat e pushtetarëve të kurruptuar kokë e këmbë tash 30 vjet e kanë shndërruar Tiranën në një prej destinacioneve më fantastike të pastrimit të parave në Ballkan. Pushteti e ka kthyer Shqipërinë në një çiflig personal. Pushteti i ka kthyer shpinën me kohë qytetarëve dhe interesit kombëtar. Njerëz që ikin nga sytë këmbët sepse vidhen dhe pushtetarë që pasurohen çdo ditë e më shumë. Përgjimet e Ndragheta-s janë maja e Ajsbergut. Mafia italiane, bullgare, turke, serbe, arabe etj nën bekimin e pushtetarëve lokal dhe qëndror e kanë kthyer Shqipërinë në një shtet problem jo vetëm në Ballkan por edhe më gjërë për institucionet inteligjente, të hetimit e parandalimit të krimit dhe me transfertat e fuqishme bankare kanë destabilizuar ekonominë dhe sistemin bankar në vend. Qarkullimi i kësaj paraje të frikshme mafioze ka vënë në rrezik serioz sigurinë kombëtare të shtetit shqiptar. Zaptimi i të gjitha hapësirave publike, i ka kthyer sytë e pushtetit tashmë edhe drejtë centimetrave të fundit në oborret e Tempujve të Zotit. Tirana është në asfiksi inxhinierike dhe arkitekturore. Kullat që po ngrihen në Tiranë e kanë shndërruar kryeqytetin në një qytet kozmopolit. Qeratë në kullat e Tiranës janë më të shtrenjta se në Nju Jork, Londër, Milano apo Paris. Një qytet që lundron në paratë e mafies. Tirana nuk u përket më qytetarëve, Tirana nuk u përket më shqiptarëve. Mafia e Tiranës rrafshon e kafshon çdo gjë, tashmë pas Minares së Xhamisë së Et’hem Beut me siguri një tjetër objekt kulti fetar do shkatërrohet. Dhe për Zotin do kujtohemi vetëm në një ditë gjëme apo termeti kur të lutemi si shtiracakë: O Zot mbaj dorën.

more recommended stories

loading...