Pse rindërtimi i Teatrit duhet paguar nga ata që e shembën?

AMT

Deri më sot në Shqipëri, megjithëse keqqeverisja e të gjitha ngjyrave në vite ka shkaktuar dëme kolosale për vendin, asnjëherë nuk është artikuluar apo kërkuar nga asnjë grup politik, shoqëri civile apo qytetarë të thjeshtë që dëmi publik i shkaktuar prej saj të paguhet nga shkaktarët që e kryen.

Kështu ka ndodhur kur janë tjetërsuar pronat nga pushtetarë të ndryshëm, kur privatizimi ka qënë i gabuar, kur janë pushuar nga puna pa të drejtë nëpunës vetëm për arsye politike, kur janë sulmuar aktivetete private si rasti i Bechetit për të njejtat arsye, kur buxheti i shtetit është vjedhur në mënyrë konstante, duke ia shpërndarë oligarkëve të ndryshëm me formulën e ppp-ve , me anë të të cilave përvetsohen pasuritë e shqiptarëve. Dhe lista është shumë e gjatë. Por është kthyer në një sport politik, për akuza të ndërsjella mes grupimeve politike thjesht dhe vetëm për të marrë pushtetin. Nga ana tjetër shoqëria civile është mjaftuar thjesht dhe vetëm me konstatimin e fenomenit, pa dhënë kurrë zgjidhje, pa luftuar kurrë për të, pa krijuar kurrë një frymë. Dhe gabimet janë përsëritur në pafundësi, ndërkohë që fatura është paguar gjithmonë nga taksapaguesit shqiptarë. Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në vite, e thonë me shifra dhe fakte dëmin. Dhe dëmet në vite kapin miliarda euro. Dhe askush nuk mban asnjëherë përgjegjësi. Kur Shqipëria me këto para të shpërdoruara do të kishte një mirëqënie dhjetëra fish më të begatë. Por a do të ishin përsëritur këto gabime, nëse shkaktarët pushtetarë a nëpunës qofshin do t’a kishin paguar vetë dëmin? Nëse kjo kërkesë për drejtësi do të vinte nga nga vetë qytetarët, sigurisht që po, ndryshe zorr se pushtetarët do të mund të ndërronin zakon. Dhe kështu ka ndodhur.

Tek rasti i Teatrit, përgjatë viteve të protestës sonë, kuptuam sa i gjatë ishte kalvari i abuzimeve dhe mjetet e pafundme që përdor pushteti që nga vota, ligjet, institucionet, presionet për të shuar protestat qytetare dhe realizuar qëllimet e veta të mbrapshta. Zbuluam mënyrat dhe skemën që ai përdor, e denoncuam me protestë, dokumenta juridike që nga ligji special e deri tek kallzimet pas shëmbjes, e detyruam të ndërronte taktikë vazhdimisht duke e vënë në vështirësi, derisa e detyruam që më 17 maj me një akt të pashembullt vandalizmi të shembte godinën e teatrit, sepse nuk e duronte dot presionin qytetar që sillte ai shesh, sepse i duhej të merrte pronën e teatrit për të pastruar paratë e mafjes. Rezultati, përvec shkatërrimit të trashëgimisë u shkaktua një dëm rreth 20 milion euro nga shëmbja e godinës, pajisjeve, garderobës, rekuizitës që ndodhej brenda, 10 milion euro nga restaurimi i munguar që do të sigurohej nga institucione europiane që mbështesin trashëgiminë dhe së fundmi 36 milion euro që kërkon bashkia nga buxheti i shtetit për të ndërtuar teatër të ri. Pra 66 milion euro me një dorë, vetëm për një godinë.

Në kallzimet që kemi dorëzuar në SPAK, fajtorët kanë emra. Edi Rama, Erjon Veliaj, Sandër Lleshaj dhe të gjithë vartësit e tyre që firmosën vendime antiiligjore, që morrën pjesë direkte në aksionin e shëmbjes. Në kallzimet tona kemi argumentuar edhe shkeljet ligjore që kanë bërë. Janë ata që duhet t’a paguajnë këtë dëm, sepse kryeministri dhe veglat e tij, përdorën të gjitha mjetet e mundshme diabolike për të përfituar nga vjedhja e pronës së Teatrit Kombëtar dhe pastruar aty paratë e krimit, që mban këtë bandë mafioze në pushtet.

Përse të mos ndodhë kjo kur dispozitat ligjore në fuqi e parashikojnë saktësisht zgjidhjen e rasteve të tilla? Pra që kur fajtorët, të cilët shkaktojnë dëmin duhet t’a dëmshpërblejnë atë?

Por a është utopi një kërkesë e tillë, në kushtet kur sistemi i drejtësisë si rezultat i reformës, është i cunguar?

Por a nuk ishte vallë utopi, që një grusht njerzish do ta mbronin fiizikisht për dy vjet e gjysëm godinën e teatrit, përballë interesave të miliona eurove të pushtetit dhe mafjes? Do të gjenin edhe mënyrat dhe mjetet për t’a restauruar teatrin, pa pasur asgjë në dorë? Thjesht dhe vetëm pasionin dëshirën dhe ndershmërinë për t’i shkuar deri në fund kësaj kauze publike që për mënyrën si ndodhi, nxorri në dritë se demokracia shqiptare është e rrezikuar?

Por po është utopi, deri në çastin që shoqëria shqiptare nuk ka kërkesën për të bërë drejtësi. Është utopi deri në momentin që i njejti model që kërkojmë ne nuk kthehet në frymë, nuk adoptohet nga grupime të mëdha juristësh, ekonomistësh, politikanësh që i duan të mirën e vendit.

Për ne që e dimë se me përpjekje dhe këmbëngulje arrihet gjithçka, nuk është utopi. E kemi treguar me aktivitet të përditshëm duke denoncuar të gjitha abuzimet që lidhen me cështjen e teatrit, madje duke dhënë edhe zgjidhje për të. Por sigurisht që ne nuk kemi mjetet për t’a realizuar, por kemi argumentat dhe forcën për t’ju bindur se kjo duhet të ndodhë. Dhe jo për ne, por sepse kjo i mungon shoqërisë shqiptare tani.

Provoni të bëni kështu me inceneratorët, me kompanitë e ndërtimit që pastrojnë paratë e pista të mafjes, me ppp-të që i falin pronën oligarkëve, me tenderat në shëndetsi ku fitues janë kompanitë e lidhura direkt me Ndrangetën mafioze në Itali.

Dhe pastaj do kuptoni që nëse ky është vullneti juaj, nuk do të jetë më utopi.

Por fillimisht krijoni kushtet normale dhe minimale që kjo të ndodhë.

Rrëzoni me votë këtë qeveri.

Dhe pastaj kërkoni me çdo kusht që vullneti juaj të zbatohet.

Ne kemi vendosur t’i ushtrojmë të drejtat tona kushtetuese duke i shkuar deri në fund qëllimit të kauzës sonë.

Duke sjellë një model ndryshe.

Duke kërkuar:

Teatrin Aty ku Ishte dhe Ashtu Siç Ishte, me shpenzimet e atyre që shkaktuan dëmin.

more recommended stories

loading...