Të ndalojmë degradimin e Shqipërisë


Nga Ledian Droboniku

Ndër leksionet e para që marrin studentët e Gjeopolitikës, është përcaktimi i forcave brenda një shteti. Nëse në të dominojnë forcat qendërsynuese (centripete) ai shtet thuhet se po rrit fuqinë. Në të kundërtën, nëse në të dominojnë forcat qendërlarguese (centrifugale) ai është në fazë degradimi dhe rrezikon shuarjen.

Por çfarë janë këto forca?

Çdo popull e çdo shtet prodhon energji. Nëse këto synojnë qendrën, ato përforcohen e shumëfishohen. Por nëse synojnë të kenë kah të kundërt, ato anullojnë njëra-tjetrën duke shteruar burimet.

Duke e thjeshtuar për lexuesin.
Nëse etnosi kombëtar zëvendësohet me aspirata të tjera, energjitë shpirtërore nuk arrijnë të mobilizohen drejt një projekti të përbashkët. Njerëzit janë fillimisht krijesa shpirtërore që udhëheqin mandej veprimet e tyre fizike.

Duke thjeshtuar më tej e pabanalizuar, nëse shumica e njerëzve e shohin shpëtimin tek të huajt, kur bëjnë tifo për Amerikën, Turqinë, Greqinë etj, këto forca janë centrifugale. Energjitë nuk janë pa fund. Ose hidhen në një vend të përbashkët brenda një ene (sovraniteti, atdheu) ose hidhen kuturu. Me këtë mentalitet kalitur nga propaganda e oligarkisë, krijimi i një projekti pol-eko të përbashkët, është i pamundur.

Forca centrifugale prodhon dhe modeli ekonomik, ku sektorët strategjikë të vendit si dhe pasuritë kombëtare, nuk vihen në shërbim të një Ekonomie Kombëtare, por iu jepen të huajve e nxirren jashtë. Largimi i forcës aktive punës, intelektualëve dhe artistëve. Energjitë më pozitive synojnë të largohen.

Rinia shqiptare nën propagandën e kudondodhur, preferon të njehsohet me vlera të importuara. Ato shqiptare duken si relike e obsolete prandaj përbuzen. Vrasja e literaturës shqiptare (ajo artistike e shkencore), varrosja e kinematografisë, gabelizimi i muzikës, banalizimi i gjuhës, VARFËRON vërtet kulturën autentike shqiptare. Kasta promovon këtë trend antikombëtar nën etiketën e kozmopolitizmit apo multikulturalizmit duke krijuar një sens inferioriteti tek ajo çfarë është shqipe.

Minoritetet e fabrikuara po shtohen përditë duke larguar nga shqiptarizma, mijëra shqiptarë, në vend që të ndodhte e kundërta. Identiteti nuk kalohet me gjak por me kulturë, art e ekonomi. Nēse ato nuk prodhohen në vend, njerëzit largohen qendrës.

Po kush e mbron çështjen kombëtare???
Ajo ka mbetur në duart e injorantëve, hajdutëve dhe delirantëve, duke degraduar akoma më shumë fatet e kombit.

Ja pse duhen intelektualët dhe patriotët e vërtetë, për të ndryshuar kahun e forcave që i duhen Ringritjes së Kombit. Jo si relike historike, por si rruga e vetme për mirëqenien, shtimin dhe zhvillimin e çdo populli.

more recommended stories

loading...