Keqpërdorimi i statusit “Dëshmor i Atdheut”

Nga Marash Logu

Megjithë respektin për katër të ndjerët që humbën jetën në 21 Janar 2011 dhe kujtimin e familjarëve për ta, shpallja “Dëshmor i Atdheut” nga kryeministri është në kundërshtim me ligjin Nr. 109/2018 “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut”. Nuk do mend që kjo është një përpjekje politike, që në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit, kryeministri dhe partia e tij të dalin të larë nga një premtim i pambajtur për të bërë drejtësi për rastin.
Ashtu siç është politike kërkesa e Policisë së Shtetit për rihapjen e hetimeve për 21 Janarin, pasi kushdo, qoftë edhe me njohuri modeste ligjore, e di që ajo çështje i nënshtrohet parimit “res judicata” ose “gjësë së gjykuar”, dhe nuk mund të riçelet përveçse nëse dalin fakte të reja e të panjohura më parë. E në fakt, pavarësisht se prej 8 vitesh, qeveris kryeministri Rama dhe partia e tij, nuk kanë qenë në gjendje të zbulojnë ndonjë fakt apo rrethanë të re.
Megjithatë, qëllimi i këtij shkrimi nuk është vlerësimi i arsyeve politike të aktit të kryeministrit, por analiza nëse ky akt është në përputhje me ligjin që rregullon statusin e “Dëshmorit të Atdheut” në Shqipëri. Neni 5 i ligjit Nr. 109/2018 parashikon subjektet që shpallen “Dëshmor të Atdheut”. Në të shumtën e rasteve këtë status e përfitojnë shtetasit shqiptarë që kanë humbur jetën në luftën për shpalljen e Pavarësisë (1912), në luftën nacionalçlirimtare (1939 – 1945) apo të rënët në krye të detyrës.
Por, paragrafi ll) bën një përjashtim duke u njohur statusin e “Dëshmorit të Atdheut” edhe shtetasve shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kjo në fakt duket të jetë e vetmja referencë ligjore që lidh një protestues me statusin e Dëshmorit, pasi të gjitha rastet e tjera kanë të bëjnë me luftëra apo ushtrimin e një detyre të caktuar.
Paragrafi ll) ka përcaktuar tre kritere për shpalljen Dëshmor të një personi që merr pjesë në një tubim: (i) tubimi duhet të jetë paqësor; (ii) pa armë; dhe (iii) për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore. Kushdo që e ka parë apo i sheh sot pamjet e protestës së 21 Janarit e ka të qartë që ai nuk ishte një tubim paqësor. Për më tepër, në pamjet e publikuara në media duken qartë disa njerëz që mbajnë armë automatike (pistoletë) në brez, pa folur këtu për armë të ftohta, të cilat u përdorën pa mëshirë ndaj oficerëve të Policisë.
Qartazi, pra nuk përmbushen dy nga kriteret e përcaktuara për të konsideruar shpalljen “Dëshmor të Atdheut” të personave që fatkeqësisht humbën jetën në protestën e 21 Janarit. Por, ajo që ndoshta është më thelbësorja në këtë analizë është nëse tubimi kishte apo jo për qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore. E vërteta është se ai tubim mund të kishte të bënte me çdo gjë tjetër, por jo me të drejtat apo liritë themelore.
E thirrur nga Partia Socialiste, me synimin e vetëm rrëzimin e qeverisë së kohës, e vetmja “e drejtë” që kërkonte të mbronte protesta e 21 Janarit ishte “e drejta” e një njeriu të vetëm për pushtet. Qartazi, edhe kriteri i tubimit me qëllim mbrojtjen e të drejtave apo lirive themelore nuk përmbushet.
Mbase do të ishte e tepërt të thuhej se shpallja e sotme “Dëshmor të Atdheut” të katër protestuesve të ndjerë ishte një akt në kundërshtim me ligjin Nr. 109/2018 “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut”. Sa absurde mund të jetë që ndërsa “vajton” mungesën e drejtësisë, konsumon një akt të paligjshëm. Pikërisht, këtë bëri sot kryeministri i vendit.
E shkruajta këtë shkrim, duke qenë i vetdijshëm për temën delikate që trajton, por gjithashtu i bindur se si jurist, si qytetar nuk mund të heshtja për keqpërdorimin për qëllime politike që i bëhej statusit të “Dëshmorit të Atdheut”.
Panteoni i dëshmorëve të atdheut u përket atyre burrave dhe grave, të cilët u flijuan për lirinë dhe ekzistencën e shtetit shqiptar apo të rënëve në krye të detyrës. Taktika e kryeministrit “çdo gjë e ka një çmim, përfshirë edhe jetën dhe dhimbjen njerëzore” dihet (kujto rastin e Klodian Rashës), por statusi i Dëshmorit nuk mund të shërbejë si mjet shpagues ndaj disa fatkeqëve dhe familjeve të tyre, të cilët u përdorën me qëllimin e vetëm për të sjellë në pushtet zotërinë kryeministër, dhe po vazhdojnë të përdoren që ai të qëndrojë në pushtet.

more recommended stories

loading...