Njerëzit që u bënë kurban me 20 janar

Sot 10 vite më parë, Edi Rama do të deklaronte (me 20 janar 2011, një ditë para demonstratës vdekjeprurëse të 21 janarit), nga një interviste televizive në Top Channel se “ky popull mund ta tejkalojë opozitën, mund të mos e dëgjojë opozitën, populli mund të bëjë atë që bën” dhe se “s’mund të kapërcejmë mbi të vdekurit”.
Mbi të vdekurit? Po të vdekur. Demonstrata e dhunshme në bulevard e një dite më pas do të kishte të vdekur që s’mund të kapërceheshin. Ata u vranë nga Garda e Republikës, që në përpjekje jo profesionale për të mbrojtur selinë e Kryeministrisë, shtinë kuturu me armë zjarri. Ekspertiza e FBI nxorri dy fajtorët materialë të 4 vrasjeve, Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, shef e punonjës garde. Gjyqtarët e Çështjes 21 janari e përdorën ekspertizën e FBI për të nxjerrë nga burgu Prendin e Llupon sepse nuk kishin pamje vizuale të Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtos, për rrjedhojë kishte qenë vrasje nga pakujdesia.
Nga ana tjerët do të ishte interesante të dinim emra dhe mbiemrat e atyre të “grupit të demonstruesve që kishte një agjendë tjetër”, sipas përkufizimit të qartë të ish-Ambasadorit të SHBA-ve, z. Arvizu.
Kush i drejtoi një grup të rinjsh, kryesisht të parruar dhe të veshur me tuta sportive, tipike e të fortëve të periferisë, që u nisën nga Galeria e Arteve drejt kangjellave të kryeministrisë me vrap, me gurë në duar në tentativën e nxitjes së turmës për dhunë.
Grupi i stërvitur dhe i koordinuar safi për të operacion nuk ia doli dot të ndizte turmën e qetë të qytetarëve me bindje të majta, që u ndalën tek ura dhe Hotel Dajti. Këtej qytetarët, andej dhunuesit. Në turmën e protestuesve të 21 janarit 2011 kishte një celulë të sponsorizuar dhe të organizuar për të shtirë në dorë selinë e qeverisë.

Për këtë arsye do të:
-Duhej të kuptonim pse garda e Republikës nuk kishte një plan të mirëmenduar veprimi kur kishte informacione të shumta për -organizimin e dhunës, siç ishte raporti i ShIU-t.
-Duhej të zbardheshin regjistrimet e kamerave të kryeministrisë.
-Duhej të zbardhej pse demonstrata u lëshua në mëshirën e ndoca të çakërdisurve të frymëzuar me çdolloj premtimi e përbetimi.
-Duhej të zbardhej pse degjeneroi protesta qytetare në një histeri kolektive kundra ligjit e uniformës blu të Policisë.
-Duhej të zbardhej cilët ishin njerëzit që përgatitën shishet me benzinë molotov, shkopinjtë dhe ristelat jo fort të natyrshme në bulevard,etj.

Për t’ju përgjigjur disa pyetjeve mund të marrim metodën e hershme të romakëve: “cui prodest scelus, is fecit”, domethënë, atij që krimi i sjell të mira, ai është organizatori”.
Cila ishte shtysa, kujt i interesonte të degjeneronte demonstrata, pse u fol për “tejkalim të opozitës nga populli” dhe fliste për kufoma të pakapërcyeshme, e shumë pyetje të tjera.
A interesonte Policisë së Shtetit të provokonte një ngjarje që do të dilte më pas nga kontrolli, me vdekje dhe prishje të rendit kushtetues. Pra, cui prodest, kujt i interesonte?
A ekzistonin individë që ishin të interesuar ta provokonin, të ushtronin dhunë dhe ta merrnin pushtetin me dhunë?
A i vranë qëllimisht protestuesit për të ndalur protestën? Pse nuk u zbatuan fletë-arrestet për komandantët e Gardës së Republikës?

Sot 10 vite më pas nuk ka drejtësi as për 4 viktimat e pafajshme dhe as drejtësi për organizatorët me agjendë tjetër në protestën e 21 janarit.