Dy albume, dy shtëpi, dy fotografë dhe një ngjarje


Nga Elona Caslli

Kam ngulmuar gjithmonë tek fakti që vëzhgimi i detajuar i profileve në facebook të kryeministrit apo të kryebashkiakut, nxjerr lakuriq fytyrën e qeverisë.
Nëse do të vëzhgojmë profilin e kryebashkiakut, do të shohim se në Zall-Herr janë rindërtuar dy shtëpi e të shembura nga tërmeti; shtëpia e Ramazanit dhe shtëpia e Gëzimit.
Për vizitë tek shtëpitë e reja kanë shkuar Edi Rama, Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj.

Nëse hedhim një sy në profilin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt dalim në përfundimin se e njëjta vizitë, pasqyrohet me dy albume të ndryshme dhe me tekst të ndryshëm.

Tek profili i Erion Veliajt paraqitet me tekstin e zakonshëm dhe me emrat përkatës të atyre që zotërojnë shtëpitë ndërsa tek profili i Edi Ramës paraqitet me formulën e dale boje tashmë – Punë jo gjumë.

Këndet dhe përmbajtja e fotografisë janë të ndryshme. Në fillim fotografohet Edi Rama duke u përshëndetur me vajzën e vogël e mandej fotografohet Erion Veliaj me këtë të fundit.

E thënë shkurt, qoftë Edi Rama, qoftë Erion Veliaj, duhet të kenë albumin përkatës dhe nga kënde të ndryshme. Asnjë album nuk duhet t’i ngjajë tjetrit dhe në profil teksti që shoqëron albumin duhet të ndryshojë nga profili i Erion Veliajt tek profili i Edi Ramës.

Pse bëhet kjo?! Për të krijuar idenë se janë dy ngjarje të ndryshme që zhvillohen në të njëjtën kohë, ndërkohë që është e njëjta ngjarje që fotografohet nga kënde të ndryshme, pasi nuk ka si të shpjegohet ndryshe, që Erion Veliaj nuk shpërndan postimin e Edi Ramës, siç bën ngahera.

Me pak fjalë, kemi të bëjmë me dy albume, dy shtëpi dhe dy fotografë.

Post Scriptum- Megjithatë, shpikja e shtypit e bëri më të lehtë manipulimin e opinionit publik, ndërsa filmi dhe radioja e çuan dhe më tej. Me zhvillimin e televizionit dhe përparimit teknik që bëri të mundur filmimin dhe transmetimin e njëkohshëm nga i njëjti aparat, mori fund jeta private. Çdo qytetar, të paktën çdo qytetar që e meritonte të vëzhgohej, mund të mbahej nën përgjimin e policisë dhe të bombardohej me propagandë zyrtare njëzet e katër orë rresht, ndërsa gjithë kanalet e tjera të komunikimit mbaheshin të mbyllura. Kështu erdhi në jetë për herë të parë mundësia e imponimit jo vetëm përulje ndaj opinionit të shtetit, por dhe uniformitet të plotë të opinionit publik.

George Orwell 1984