Bankat vështirësojnë dhënien e kredive, biznesi i vogël e i mesëm në krizë

Viti 2020 është mbyllur me shtrëngim të kushteve të kreditimit për bizneset, duke nisur nga biznesi i vogël deri tek ai i madh. Shkak për këtë është bërë pandemia COVID-19, e cila ka tkurrur të ardhurat si për biznesin ashtu edhe për individët. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për bizneset u forcua më shumë për qëllim financimin e investimeve dhe atë në mbulimin e nevojave për likuiditet.

“Në gjykimin e bankave, shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset në tremujorin e katërt 2020 u ndikua nga perceptimi i bankave për rrezikun lidhur me situatën ekonomike e perspektivën për të, si edhe me aftësinë paguese dhe gjendjen aktuale të bizneseve”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.Kriteret që janë vështirësuar kanë të bëjnë me reduktim të madhësisë së kredisë, shtim të kërkesës për kolateral si edhe kushtëzimeve më të larta në marrëveshjet e kredive. Nga ana tjetër i vetmi faktor me ndikim pozitiv në kreditimin e biznesit ishte afati i maturimit i cili është zgjatur.

Sipas këtij raporti për periudhën tetor-nëntor-dhjetor bizneset e vogla dhe të mesme ulën kërkesën për financimin e investimeve, ndërsa është rritur kërkesa për kredi për likuiditet nga bizneset e mëdha.