“Rama ia la problemin e detit Jon, Ankarasë”

Nga Sebastjan Zonja

Një ndër institutet më të rëndësishëm në botë për politikën e jashtme amerikane, Council on Foreign Relations (CFR) , instituti që qendron mbrapa 14 pikave të Wilsonit në Konferencën e Paqes, ka publikuar një studim së fundmi sa i përket pikave të nxehta në botë që mund të përshkallëzojnë në luftë në vitet e ardhshme.
Përkrah një konflikti me Korenë e veriut për shkak të nuklearizimit të saj, diplomatët dhe ekspertët e Center for Preventive Action (CPA), rendisin edhe konfliktin midis Turqisë dhe Greqisë, në botimin e tyre të përvitshëm “Global Conflict Tracker”.

Përgjatë verës së 2020-ës Turqia, Greqia dhe Qipro u përfshirë në një përplasje të fortë që përshkallëzoi deri në përdorimin e anijeve ushtarake. Vendet përkatës kanë konflikte për qasjen në burimet natyrore, përkatësisht depozitat e mundshme të gazit dhe të naftës në detin e Mesdheut.
Aktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë ndërhynë për të ulur tensionet midis dy vendeve anëtare të NATO-s. Franca, Gjermania dhe SHBA-të ishin pjesë e tentativës për t’ia mbrritur një marrëveshjeje midis vendeve në prag lufte.

Së fundmi, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u bë pjesë e kësaj përpjekjeje. Pritja e tij ceremoniale në Ankara e më pas takimi disaorësh me krerët e politikës greke solli sinjale pozitive nga palët për t’u ulur në bisedime.
Ky është një rast shumë i mirë për Shqipërinë që ta paraqes veten me potencialin e saj të plotë si vend i rëndësishëm në Ballkan dhe faktor stabiliteti.

Teza e gjuhëtarit Eqrem Çabej për Shqipërinë mes Perëndimit dhe Lindjes merr një dimension të rëndësishëm gjeopolitik në këtë rast. Vendi ynë merr përparësi përball Serbisë për ta luajtur këtë kartë, që deri më sot ka qenë Serbia që e ka shfrytëzuar maksimalisht.
Në krahun tjetër, ambasadori Shaban Murati, në një shkrim te gazeta “Dita”, tërhoqi vëmendjen për një deklaratë nga diplomacia greke si protektore e vendeve me shumicë myslimane. Tirana, kryeqyteti i shqiptarëve, në rast se bëhet vendtakimi midis politikanëve turq e grekë, merr një dimension tjetër në gjeopolitikë, dhe sigurisht që me një diplomaci të shëndoshë mund ta përdorë ajo këtë kartë, sepse ne jemi vend me shumicë myslimane, me harmoni të madhe fetare dhe sigurisht me teologë mjaft të aftë.
Por kjo ngelet për një artikull tjetër nëse Athina do faktorizimin e Tiranës.

Për të mos u larguar nga tema, ku takimi i palëve në Tiranë është i rëndësishëm, vlen të sillet në vëmendje se vetëm kësisoj “Çështja e Detit” merr udhën e zgjidhjes.
Në çastin që do të lidhet problemi i Jonit me Egjeun, gjasat janë që të kemi një zgjidhje më të drejtë e të shumëpranuar. Dyshimet mbi politikën shqiptare janë të mëdha se po bën koncesione në dëm të shqiptarëve karshi fqinjëve grekë, por nëse këto dy çështje të ngjashme lidhen me njëra-tjetrën, mënyra se si do ta zgjidh Greqia me Turqinë do të vlejë si rast analog edhe për Greqinë me Shqipërinë.

Ballkani, një vend në kufijtë e Bashkimit Europian, ku në shekujt e fundit ka pasur një përplasje të fortë midis pangjermanizmit dhe pansllavizmit, merr një fytyrë tjetër me Shqipërinë si faktor i rëndësishëm.
Nëse vendi ynë arrin që të bëhet një faktor i rëndësishëm ndërmjetësues, për Ballkanin e lënë pas dore që ndodhet në kufijtë e Bashkimit Europian, nuk mund të ketë vetëm përfitime për këtë gjë.

Tani ngelet në dorë të politikës shqiptare që ta kap një rast të ktillë të artë që është në dobi të Shqipërisë për dekadat në vijim. Është po ashtu në dorë të politikës shqiptare që të shfrytëzojë të gjitha fijet dhe lobimet që takimi të bëhet në Tiranë. Nuk ka rëndësi se cili kryeministër do të dal në foto, Rama apo Basha, apo se kur bëhet takimi, para apo pas 25 prillit, por bashkërisht, president, kryeministër e kryetar opozite, duhet që të angazhohen që Ankaraja zyrtare dhe Athina zyrtare të ulen për bisedime në Tiranë.

Deri më tani rezultati i pjesës së parë është 1-0 për ne, si me Serbinë dhe me Greqinë. Me pak mundim mund të marrim një rezultat të mirë, kur pozicionimi në sulm është i kopsitur. Po të fillojmë që t’i vëmë strekëmbësha njëri-tjetrit, barazimin e kemi në xhep, por edhe humbjen. Uroj fitore edhe në pjesën e dytë!