Dorëhiqet qeveria holandeze, kryeministri Rutte: Sistemi ynë ka dështuar

Qeveria e kryeministrit holandez, Mark Rutte, u dorëhoq dje pasi mijëra familje u akuzuan gabimisht për mashtrim me ndihmat sociale për fëmijët dhe u detyruan t’i kthenin paratë.

Dorëheqja vjen në një kohë kur vendi po përballet me krizën e Covid-19 dhe për këtë arsye, kabineti Rutte do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e muajit mars.

Rutte është në në pushtet që nga viti 2010. Në njoftimin e së premtes, ai pranoi se përgjegjësia për skandalin është e të gjithë kabinetit.

“Ne jemi me një mendje: nëse i gjithë sistemi ka dështuar, përgjegjësia është e përbashkët”, tha Rutte.

Kjo nuk është hera e parë që një qeveri holandeze jep dorëheqjen me arsyetimin për përgjegjësi kolektive.

Në vitin 2002, kabineti qeveritar dha dorëheqjen pas publikimit të një raporti, në të cilin kritikoheshin ministrat holandezë se nuk kishin bërë sa duhej për të parandaluar masakrën e myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Skandali

Në dhjetor të vitit të kaluar, në një raportim në parlament u zbulua se mijëra prindërve u ishte ndaluar përkrahja financiare shtetërore për shkak të dyshimeve për mashtrim, që çuan në nisjen e hetimeve. Disa prej atyre prindërve hynë në borxhe pasi u akuzuan gabimisht për përfitim të padrejtë. Qeveria holandeze ka kërkuar falje për skandalin dhe ka akorduar një fond prej 500 milionë € për prindërit që ishin prekur. Kreu i Partisë së Punës, Lodeëijk Asscher, deklaroi të enjten se do të jepte dorëheqjen dhe se nuk do të bëhej pjesë e kandidaturave të zgjedhjeve të marsit.

Asscher ka qenë ministër i Çështjeve Sociale në qeverinë e mëparshme holandeze nga 2012 në 2017, por tha në një video të postuar në Facebook se ai “nuk e dinte që autoritetet tatimore kishin filluar një ‘gjueti’ të paligjshme për mijëra familje”.

Partia e Punës ka qenë partnere në koalicion deri në vitin 2017, kur humbi vendet në Parlament dhe tani është në opozitë.

Holanda bëhet kështu vendi i tretë evropian që hyn në një terren të pasigurtë politik këtë javë, në mes të krizës së koronavirusit. Në Estoni, kryeministri dha dorëheqjen për shkak të një skandali korrupsioni, ndërsa koalicioni qeverisës i kryeministrit italian Giuseppe Conte rrezikon të shpërbëhet pasi partia e Mateo Renzit tërhoqi dy ministrat e saj.