Në vendin tim goditet gjithmonë një grua. Braçe sulmon Eni Vasilin

Eni Vasili nuk hyn tek gazetaret e mia të preferuara. Kam plot rezerva mbi të dhe mbi qëndrimet e ndryshme që ajo mban gjatë drejtimit të emisionit, megjithatë Vasilin në këtë shkrim, po e shoh si figurën e gruas.

Në këtë copë vendi të quajtur Shqipëri, goditet gjithmonë një grua dhe kur kjo bëhet në hapësira mediatike, dëmi është i shumëfishtë, pasi media nuk ka vetëm funksion informues, por edhe edukues.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe në një debat në “ Top Channel” përballë drejtues së emisionit është shprehur: Po si ka mundësi që budallallëku të bëjë televizion. Drejtuesja e muhabetit, qerpikët e rinj fiks për emision.”

Ky fjalor i mbushur plot me etiketime vulgare, për ironi të fatit bie gjithmonë mbi figurat e grave në këtë vend në studio televizive.
Lind pyetja: A do të guxonte Erion Braçe ta bënte një deklaratë të tillë para Blendi Fevziut, Sokol Ballës, apo Adi Krastës?!
Të gjithë e dimë që përgjigjja është “jo”.

Kur shkrova për Sonila Meçon thashë që nuk mbrohet Sonila, por mbrohet standardi.
Kur çmova qëndrimin e Gjekmarkajt ndaj Grida Dumës, nënvizova faktin se nuk mbrohet Grida, por mbrohet standardi.
Tani që po shkruaj për Eni Vasilin, theksoj faktin se nuk mbrohet Eni Vasili, por mbrohet standardi.

Një zëvendëskryeministër që fyen dhe që merret me qerpikët e një gruaje është Shqipëria sot.

Post Scriptum- Një burrë i pasigurt në burrërrinë e tij shan dhe fyen një grua. Një burrë ende i denjë për këtë emër, mund ta kundërshtojë një grua edhe pa e fyer atë.

Elona Caslli