Kur u hoq ligji i luftës me Gjermaninë?

Dr. Hasan BELLO
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nuk njohën asnjë lloj përmirësimi. Kjo për shkak të pushtimit nazist në vitet 1943-1944, por mbi të gjitha për koherencë me politikën e jashtme që ndiqte Bashkimi Sovjetik. Në fakt, Konferenca e Potsdamit e vitit 1945 përcaktoi rrugën e zhvillimit të mëtejshëm të Gjermanisë, si një shtet i bashkuar, paqedashës dhe demokratik, duke konfirmuar nevojën e përfundimit të një traktati paqeje. Por megjithëse kishin kaluar gati 10 vjet nga përfundimi i luftës dhe nga kjo Konferencë ndërkombëtare, me Gjermaninë akoma nuk ishte përfunduar një traktat paqeje. Po cilat ishin arsyet e kësaj situate, e cila zyrtarisht na konsideronte ende në luftë? Kjo, sipas qeverisë shqiptare, vinte për shkak se shtetet perëndimore, pengonin çdo marrëveshje midis fuqive të interesuara për rivendosjen e bashkimit të Gjermanisë mbi baza paqësore dhe demokratike.
Megjithëse Gjermania u nda në dy pjesë në atë Perëndimore dhe Lindore (që kontrollohej nga Bashkimi Sovjetik), mungesa e një traktati paqeje vazhdoi ta konsideronte Shqipërinë zyrtarisht në luftë me këto dy shtete. Zgjerimi i marrëdhënieve me Republikën Demokratike Gjermane shtroi përpara qeverisë shqiptare abrogimin e ligjit të luftës dhe nënshkrimin e një traktati paqeje. Kështu, më datë 14 mars 1955 Presidiumi i Kuvendit Popullorë me dekret nr.2014 “Mbi mbarimin e gjendjes së luftës midis Shqipërisë dhe Gjermanisë” vendosi:
1) Gjendja e luftës midis Shqipërisë dhe Gjermanisë mer fund dhe midis të dy vendeve vendosen marrëdhënie paqësore;
2) Mbarimi i gjendjes së luftës me Gjermaninë nuk ndryshon detyrimet e saj ndërkombëtare dhe nuk prek të drejtat dhe detyrimet e Republikës Popullore të Shqipërisë, që rrjedhin nga marrëdhëniet ndërkombëtare me Gjermaninë në të cilat bën pjesë edhe Shqipëria.
3) Ky dekret hyn menjëherë në fuqi.
Në fakt normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro-gjermane dhe nënshkrimi i traktatit të paqes në këtë periudhë, i cili shënonte zyrtarisht abrogimin e ligjit të luftës, nuk ishte krejtësisht i rastësishëm. Një akt i tillë vinte pas një deklarate të qeverisë sovjetike me 15 janar 1955 mbi çështjen gjermane, që ishte pasuar me një dekret të Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS, datë 25 janar 1955, mbi mbarimin e gjendjes së luftës midis BRSS dhe Gjermanisë. Kjo tregon se në politikën e jashtme shteti shqiptar ndiqte me konseguencë lëvizjet e Moskës. Ai nuk kishte një vizion lidhur me raportet që duhej të ndërtonte me shtete të ndryshme, qoftë edhe brenda kampit komunist.
Sidoqoftë marrëdhëniet shqiptaro-gjermane (me Republikën Demokratike Gjermane) erdhën duke u konsoliduar. Kjo vihet re në rritjen e shkëmbimeve tregtare e mbi të gjitha në numrin e studentëve dhe specializantëve që u dërguan në qytete të ndryshme të Gjermanisë Lindore.
E megjithatë, përsëri shteti shqiptar në kundërshtime me vendimet e Konferencës së Potsdamit nuk do të hezitojë të ndërmarë ndonjë nismë të pazyrtarizuar për të kërkuar nga Gjermania Lindore reparacionet e luftës. Por ky veprim binte ndesh me vendimet e fuqive të të dyja kampeve, të cilat e kishin përjashtuar këtë shtet ndaj çdolloj detyrimi financiarë kundrejt Shqipërisë dhe të gjithë atyre vendeve që e kishin pësuar nga nazistët gjatë viteve të luftës.
Në kujtesën e shumë kujt marrëdhëniet shqiptaro-gjermane të këtyre viteve kanë mbetur për cilësinë e lartë të produkteve industriale; për nivelin e lartë të përgatitjes tekniko-shkencore të atyre që u specializuan në Republikën Demokratike Gjermane dhe që pas kthimit në Shqipëri dhanë një kontribut të çmuar në fusha të ndryshme, si: në arsim, mjekësi, industri, etj, etj.
Por fatkeqsisht raportet e mira që u krijuan mes dy vendeve, nuk do të zgjasin për shumë vite. Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike edhe marrëdhëniet e shtetit komunist shqiptar me Republikën Demokratike Gjermane, për shkak të varësisë që ajo kishte ndaj BRSS, do të shkojnë drejt fundit.