“I falimentuar përballë oligarkëve”, Abilekaj: Rama del në punë kur e nxjerr Salillari dhe Mane

Gazetari dhe analisti Enton Abilekaj, në një intervistë për gazetaren Beti Njuma në RTV Ora, e etiketoi Edi Ramën si kryeministrin që del në punë kur i thonë oligarkët.

Sipas tij, kjo është një qeveri që duhet të largohet urgjentisht, ndërsa kritikoi edhe opozitën për qëndrimet e saj përballë oligarkëve.

Beti Njuma: A ka falimentuar kryeministri Edi Rama përballë oligarkëve pasi sot i doli në mbrojtje Salillarit, rrugët e të cilit, investimet miliona euroshe, janë çarë me shiun e parë që ra?

Enton Abilekaj: Kjo nuk diskutohet. Ne kemi një kryeministër nga oligarkët për të bërë PR-in e tyre dhe për të bërë aktet ligjore me të cilat ata duhet të marrin copat e vendit. Kaq është kryeministri. Del në punë kur e nxjerr Samir Mane e kur e nxjerr Salillari. Nuk është kryeministër që mendon për vendin.

Kjo është e qartë dhe nuk diskutohet. Ajo që presim ne është që opozita të rregullojë këtë realitet. Që opozita të denoncojë me emër Salillarin kur i prishet rruga. Që opozita të deklarojë se si do të distancohet nga këta dhe si nuk do lejojë që këta të qeverisin në këtë vend duke manipuluar politikën, duke e kontrolluar.

Ne po flasim sot për një qeveri që urgjentisht duhet të largohet për këtë marrëdhënie që ka krijuar me qytetarët dhe në kurriz të qytetarëve me një grup biznesmenësh“.

Gjatë komunikimit të sotëm me gazetarët kryeministri Edi Rama është pyetur në lidhje me çarjet e akseve rrugore në ditët e fundit për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ku disa prej tyre ishin projekte në dorë të kompanisë “Salillari”.

Rama ka thënë se për këto akuza fillimisht duhet bërë një hetim, ndërkohë që sulmin e cilëson si gjueti shtrigash. Ai ka kërkuar që të mos veprohet kështu me kompani që kanë punësuar shumë njerëz.

“Unë e konsideroj të papërshtatshme që të sulmohen kompanitë në mungesë të analizës, sepse mund të jetë një rrugë e bërë edhe sot dhe për arsye që nuk lidhen fare me punimet e kompanisë por në kushtet e një lëvizje gjeologjike që mund të jetë pika që derdh kubën po themi nga erozioni në një zonë të caktuar mund të ketë çarje, ashtu si kundër mund te jetë kompania shkaktare”, u shpreh Rama